Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg të martën e 19 tetorit ka marrë vendimin në favor të Mustafa Laçit, i cili punonte në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec.
Në shpërthimin e vitit 2008, Laçi humbi gruan e tij dhe që nga ai vit ai kërkoi të drejtën nga Gjykatat shqiptare, por mungesa e një pulle të postës në dokumentet e tij, solli zvarritje të dosjes.
Vendimi i sotëm detyron shtetin shqiptar të paguajë kundrejt tij 7 mijë e 500 euro për vonesat, si dhe 3 mijë euro për kostot e gjyqit.
“Rasti ka të bëjë me dështimin e vazhdueshëm të gjykatave vendase për të shqyrtuar të drejtën e aplikantit”, shkruhet në vendimin e Gjykatës.
Kjo e fundit bën me dije se edhe 70 persona të tjera kanë apeluar në këtë Gjykata nga ngjarja e Gërdecit.
Më 15 mars të vitit 2008, në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda.
Si rezultat i kësaj ngjarjeje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave, dëmtime të parëndësishme për 67 persona, si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qendra shëndetësore.
Lidhur me këtë ngjarje, Prokuroria e Përgjithshme regjistroi procedimin penal 2008 dhe ushtroi ndjekjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu në cilësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, si dhe ndaj shumë personave të tjerë.
Në këtë hetim Mediu u akuzua për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
Shkaku për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në 2009-ën ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj shtetasit Mediut, për shkak të imunitetit parlamentar.
Prokuroria e Posaçme vlerëson se ndjekja penale për çështjen penale ndaj Fatmir Mediut nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë, pengesa e autorizimit për procedim ka qenë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston.