Qendërmbrojtësi i Gjermanisë, Mats Hummels, është lojtari i parë që i është bashkuar iniciativës së mesfushorit ofensiv të Manchester Unitedit, Juan Mata, për të dhënë donacion një përqind të pagës për bamirësi.
Mata u ka bërë thirrje lojtarëve të profilit të lartë t’i bashkohen në këtë kauzë në të njëjtën javë kur ylli brazilian Neymar siguroi transferimin te Paris Saint-Germaini për 222 milionë euro.
“Kjo është një mundësi për futbollin që të përmirësojë botën tonë, dhe unë dua të jem pjesë e kësaj”, ka thënë mbrojtësi i Bayern Muenchenit, Hummels.
Mbrojtësi 28-vjeçar ishte pjesë e Gjermanisë që fitoi titullin e botës në vitin 2014. Ai iu bashkua Bayernit verën e kaluar nga Borussia Dortmundi për afro 30 milionë funte.