Hungaria është duke këshilluar qytetarët e saj që të shmangin pushimet jashtë shtetit nga fillimi i muajit të ardhshëm dhe është duke planifikuar të ashpërsojë masat e kufizimit për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus në Evropë, ka thënë Gergely Gulyas, shefi i stafit të kryeministrit hungarez, Viktor Orban.
Gulyas ka thënë se qeveria dëshiron të sigurojë nisje të sigurt të procesit mësimor nga 1 shtatori dhe do të vendosë për hapat e mëtejmë javën e ardhshme.
“Situata në Evropë është duke u përkeqësuar ose në versionin më të mirë është duke stagnuar në disa shtete”, ka deklaruar, Gulyas në një konferencë për media, transmeton Reuters.
“Nuk është i mundshëm lehtësimi i masave aktuale të kufizimit. Marrë parasysh se numri i rasteve të infektimit është duke u rritur në disa shtete, rregulla më ashpra do të jenë të nevojshme”.
Sipas rregullave aktuale, personat që kthehen nga vendet me shifra të larta të të infektuarve duhet t’i nënshtrohen karantinës për 14 ditë, përveç nëse kanë dy teste negative për koronavirus.
Deri të mërkurën, Hungaria ka raportuar për 5,002 raste të infektuara me koronavirus.
Prej tyre, 609 persona kanë vdekur.