Hungaria nuk do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organet e Bashkimit Evropian, bëri të ditur kryediplomati hungarez, Peter Szijjarto ditë më parë në një konferencë të përbashkët në Budapest me homologun serb të tij, Ivica Daçiq.
Szijjarto këtë qëndrim të Hungarisë e artikuloi si qëndrim mosprejudikues të rezultatit të një marrëveshjeje për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE’ja.
“Nëse formacionet e caktuara evropiane do e pranonin Kosovën në Evropë para arritjes së marrëveshje, kjo do të rrezikonte arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi; andaj edhe për këtë arsye Hungaria do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në organet evropiane”, tha Szijjarto.
Përveç pesë shteteve mosnjohëse të shtetësisë së Kosovës brenda unionit evropian – përkatësisht Spanja, Sllovakia, Rumunia, Qiproja dhe Greqia – Hungaria doli në skenë si vota e gjashtë kundër Kosovës në integrimet e saj evropiane, së paku në kontekstin aktual.