Hungaria thotë se nuk do ta arrestojë Putinin pavarësisht urdhër-arrestit nga Haga

Prishtinë | 23 Mar 2023 | 17:13 | Nga Ekonomia Online

Hungaria nuk do ta arrestonte Putinin edhe nëse ai hyn në vend, ka thënë shefi i kabinetit të kryeministrit Viktor Orban, Gergely Gulyas.

Gulyas tha se Statuti i Romës, i cili themeloi Gjykatën Ndërkombëtare për Krime (ICC), nuk është përfshirë në sistemin ligjor hungarez.

“Ne mund t’i referohemi ligjit hungarez dhe bazuar në këtë, ne nuk mund të arrestojmë presidentin rus… pasi statuti i ICC-së nuk është shpallur në Hungari”, tha Gulyas.

Ai tha se qeveria e Hungarisë “nuk kishte formuar një qëndrim” në lidhje me urdhër-arrestin e ICC-së për Putinin për akuzat për krime lufte.

“Këto vendime nuk janë më të mirat pasi ato i çojnë gjërat drejt përshkallëzimit të mëtejshëm dhe jo drejt paqes”, tha Gulyas. “Ky është mendimi im personal subjektiv”.Orban ka qenë një aleat i vjetër i Putinit. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ai e ka dënuar agresionin rus, por jo Putinin. Hungaria gjithashtu nuk ka dërguar armë në Ukrainë dhe ka insistuar në ruajtjen e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike me Rusinë, raporton AlJazeera, transmeton Klankosova.tv.

Të ngjashme