“Spanja e konsideron rast të ndryshëm nga Kosova Palestinën: S’ka qenë asnjëherë ligjërisht pjesë e Izraelit”, doli sot në titujt e medieve, si një arsyetim i Spanjës se pse ende nuk e njeh Kosovën.
Kjo është një huqje e madhe si arsyetim. Edhe Kosova nuk ka qene pjesë e Serbisë me njohje ndërkombëtare. Ka qenë pjesë e ish-Federatës Jugosllave bashkë me Serbinë, me kufij te mbrojtur me Kushtetutën e ish-Federatës (1974) , e cila me 1990 u okupua nga Serbia gjatë procesit te shpërbërjes së asaj Federate ish-Jugosllave.
Kosova natyrisht gjendjen e krijuar me dhunë institucionale e kushtetuese dhe ushtarake -policore, nuk e ka pranuar okupimin dhe ka fituar pavaresinë ne luftën për çlirim nga një pushtet aparteidit me tipare koloniale.
Shtetësia e Palestinës lind nga një kontekst tjetër dhe natyrisht nuk është identik me Kosovën. Por, qeveria e Spanjës gabon kur e trajton kështu çështjen e njohjes së Kosovës! Madje edhe nëse motivohet nga frika për Kataloninë, pasiqë rasti i Kosovës dhe Katalonisë po ashtu janë shumë te ndryshëm dhe barazimi tyre nuk është as korrekt e as produktiv.
Fatkeqësisht këtë keqkuptim nuk e kemi vetëm me Spanjën, por edhe me shumë vende të tjera. E puna jonë qe t’i kundërvihemi kësaj gjendjeje nuk është askund.