Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka pasur një përplasje me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, raporton Ekonomia Online.
Duke e kundërshtuar Projektligjin për Zyrtarët Publikë, deputetët e opozitës kanë thënë se ky Projektligj është kundërshtuar nga Bashkimi Evropian.
Deputetja Bajrami, duke iu përgjigjur deputetit të VV-së, Besim Muzaqi, tha se edhe kjo parti po e ndjek avazin e vjetër me punësime partiake, duke ia përmendur punësimin e ish-asamblistit të VV-së në Mitrovicë, Faruk Mujka, i cili u zgjedh drejtor në ndërmarrjen “Iber Lepenci”.
“Mos vazhdoni me këto avaze punësime e punësime se njëjtë po vazhdoni edhe ju. Kush u zgjedh drejtor në Iber Lepenc, leni këto blofe se po hapni kinse konkurse për diasporë”.
“Po ikin njerëzit nga ndërmarrjet e askush nga diaspora nuk vjen me u zgjedh drejtor i ndërmarrjes. I keni 80 për qind e pozitave me ushtrues detyre”, tha Bajrami.
Në komentet e dërguara nga Bashkimi Evropian, thuhet se projektligji duhet të përafrohet më mirë me parimet e një administrate publike moderne në mënyre që të je në gjendje të përmbushe angazhimin për një administratë publike të bazuar në merite, të depolitizuar dhe profesionale.
Kjo sipas BE-së, është parakusht kyç që Kosova të përparojë në rrugën e saj evropiane.
“Projektligji është ende problematik nga pikëpamja e sigurimit të një shërbimi civil të bazuar në meritë, i aftë për të tërhequr dhe ruajtur kandidatë profesioniste. Projektligji shton diskrecionin e tepruar në rekrutimin, transferimin dhe ngritjen në detyre të nëpunësve civile, duke e bërë shërbimin civil të cenueshëm dhe në rrezik më të madh politizimi dhe korrupsioni”, thuhet në komentet e dërguara nga Zyra e BE-së.