Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se Qeveria Kurti po i mbron të korruptuarit e po i përndjek gazetarët.
Ajo tha se përcjellja e gazetarëve nga AKI dhe dorëzimi i lëndës nga ta në Prokurori shënon “pikën më të ultë” të demokracisë në vend.
“Qysh ka mundësi që 25 vjet pas lufte, 16 vjet pas pavarësisë institucionet vitale si AKI-ja me u vu në përndjekje të gazetarëve shqiptarë?!”, ka shkruar Bajrami, raporton Gazeta Express.
Bajrami ka shkruar se kjo s’është veç një tentativë për përndjekje të gazetarëve, por tentatië për heshtje të çdo zëri kritik.
“Mos të harrojmë se Kurti dhe klika e tij sot përndjekin gazetarë, nesër përndjekin opozitarë e pasnesër secilin qytetar që ka guxim ta thotë një të vërtetë që nuk i shkon përshtati Kurtit”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dje i ka dërguar një letër Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, duke kërkuar sqarime lidhur me hetimet ndaj gazetarëve Vehbi Kajtazi dhe Lirim Mehmetaj dhe ka thënë se “është thellësisht e shqetësuar” për këtë situatë.
Postimi i plotë i Bajramit:
Qeveria Kurti në mbrojtje të të korruptuarve po përndjek gazetarë
Përcjellja e gazetarëve hulumtues nga AKI-ja, dhe dorëzimi i lëndës nga ana e tyre në Prokurori shënon jo vetëm pikën me të ultë të kësaj Qeverie, por dhe pikën me të ultë të demokracisë në vend.
Ne jemi dëshmitarë që qytetarët e këtij vendi nuk kanë kursy asgjë për fjalën e lirë, për të thënë atë që kanë besu që është e drejtë, për të thënë të vërtetën.
Qysh ka mundësi që 25 vjet pas lufte, 16 vjet pas pavarësisë institucionet vitale si AKI-ja me u vu në përndjekje të gazetarëve shqiptarë?!
✔︎ vetëm se ata po shpërfaqin koordinimin e pushtetit me Radoiçiqin,
✔︎ se po shpërfaqin udhëheqjen e dikasterëve më vitale të qeverisë nga zyra parapolitike e LVV-së,
✔︎ se po shpërfaqin me fakte keqpërdorimet në shlyerjen joligjore të borxheve të ambalazhuesve të ujit,
✔︎ se po arrijnë të shpërfaqin nepotizimin dhe shumë keqpërdorime të tjera në institucione.
Dhe shihni se çka ndodh sot, në vend se Kurti, i cili kishte marrë 51% të votave në zgjedhjet e vitit 2021 me premtimin se ”do ta bëj Dubravën 12 kat” për të futë aty krejt të korruptuarit, ai sot është vënë në mbrojtje të tyre, sepse janë pikërisht njerëzit e tij të mveshur me pushtet të cilët në baza ditore po korruptohen. Tani për dallim me Albinin e opozitës, Albini kryeministër po mendon se në Dubravë duhet me përfundu jo të korruptuarit, por ata që e shpërfaqin korrupsionin.
Mos të harrojmë se Kurti dhe klika e tij sot përndjekin gazetarë, nesër përndjekin opozitarë e pasnesër secilin qytetar që ka guxim ta thotë një të vërtetë që nuk i shkon përshtati Kurtit.
Pra kjo çështje nuk është thjesht përndjekje e tre gazetarëve – e tre individëve, kjo është tentativë me heshtë çdo zë kritik dhe me çu vendin drejt autoritarizmit të plotë. Për më tepër instrumentalizimi i institucioneve shtetërore për llogari të ulëta politiko-partiake është rrezik për demokracinë. Këtë fenomen ne s’guxojmë dhe s’duhet ta lejojmë që të bëhet normë. Andaj edhe thirrja shkon prej krejt ata burra e gra që punojnë në institucione që t’i shërbejnë shtetit dhe jo partive politike.
Meqë 9 shkurti nuk është larg duhet ta dimë të gjithë se këto zgjedhje do të jenë zgjedhje mes autoritarizmit ku po rrshet vendi dhe demokracisë.