Iu bashkua Napolit verën e 2015-ës dhe tani që kanë kaluar më shumë se 5 sezone, eksperiencës së Hysajt me fanellën e kaltër duket se po i vjen fundi, pasi kontrata e mbrojtësit shkodran skadon në verën e ardhshme.
Vetë menaxheri i zëvendës-kapitenit të Kombëtares Shqiptare, Mario Giuffredi ka pranuar publikisht se negociatat për rinovim me Napolin kanë dështuar, pasi De Laurentiis ka refuzuar t’i rritë pagën mbrojtësit 27-vjeçar.
Aktualisht për Hysajn ka oferta nga klube të ndryshme, por mediat italiane këmbëngulin se Roma është ajo që ka bërë hapa më konkretë dhe vijon të negociojë me menaxherin Giuffredi, për të transferuar shkodranin.
Verdhekuqtë provuan në verë të marrin edhe sulmuesin Arkadiuz Milik, të cilit ashtu si Hysaj, i skadon kontrata në qershorin e ardhshëm, ndërsa tani drejtori Tiago Pinto është rikthyer sërish te polaku dhe shkodrani.
Sipas mediave italiane, drejtuesit e Romës do të provojnë të gjejnë një marrëveshje me Napolin për të bërë të mundur transferimin që në janar në kryeqytet, të Elseid Hysajt dhe Arkadiuz Milik, megjithatë negociatat me De Laurentiis nuk janë asnjëherë të lehta.
Për më tepër, për Milik janë vënë në lëvizje edhe klube të tjera si Interi, Juventusi e Fiorentina në kampionatin italian, të cilat duan të përfitojnë nga situata, për të transferuar me një shifër modeste, një lojtar që ka një vlerë shumë më të lartë në treg.