Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Hysen Durmishi, ka njoftuar për përmirësime në infrastrukturën rrugore të vendit.
Durmishi ka shpërndarë një video nga aksi rrugor Kërpimeh–Bajgorë, ku shihen ekipet e kompanisë së mirëmbajtjes duke vendosur sinjalizues rrugor, me qëllim rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e qarkullimit për qytetarët.
“Shijoni këto pamje nga vendosja e sinjalizimit rrugor në aksin Kërpimeh–Bajgorë, një hap i rëndësishëm për rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e qarkullimit,” ka shkruar Durmishi në postimin e tij.
Sipas tij, investimet në sinjalizim dhe mirëmbajtje të rrugëve janë pjesë e angazhimit institucional për të garantuar siguri më të madhe dhe kushte më të mira për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.