Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka shkarkuar komisionin vlerësues, pjesë e të cilit ishte zyrtarja e Vetëvendosjes, Enkelejda Arifi, për të cilën u raportua se ka ndarë projekte për familjarët e saj, duke e shpërblyer djalin dhe kunatin me mbi 7500 euro.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hyseni ka thënë se ai sot ka anuluar të gjithë procesin e thirrjes publike për subvencionimin e organizatave dhe individëve nga fusha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, raporton Gazeta Sinjali.
“Nga vlerësimi i bërë procesit ne konstatojmë për parregullsi, të mjaftueshme për ta kontestuar dhe për të vendosur për anulim të gjithë procesit të thirrjes publike për subvencionimin e organizatave dhe individëve nga fusha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, ka shkruar ai.
Ai është shprehur se do ta mbajë premtimin e tij për komisione të pavarura dhe të pandikuara.
“Ne jemi zotuar për komisione të pavarura nga politika, profesionale dhe të pandikuara, gjithmonë duke siguruar vlerësim të drejtë dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Përveç zotimit ky është edhe obligim i yni”, ka shkruar Hyseni në Facebook.
“Shkarkojmë komisionin vlerësues dhe rihapim thirrjen nga fillimi për të cilën do të themelojmë komision të ri dhe do të sigurojmë monitorim të procesit”, tha tutje ai.
Njoftimi i plotë i Hysenit:
Ne jemi zotuar për komisione të pavarura nga politika, profesionale dhe të pandikuara, gjithmonë duke siguruar vlerësim të drejtë dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Përveç zotimit ky është edhe obligim i yni.
Nga vlerësimi i bërë procesit ne konstatojmë për parregullsi, të mjaftueshme për ta kontestuar dhe për të vendosur për anulim të gjithë procesit të thirrjes publike për subvencionimin e organizatave dhe individëve nga fusha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Shkarkojmë komisionin vlerësues dhe rihapim thirrjen nga fillimi për të cilën do të themelojmë komision të ri dhe do të sigurojmë monitorim të procesit.
Gjithashtu dua të përcjell porosinë për secilin dhe kudo që synon parregullsinë se ne nuk do të kemi tolerancë ndaj askujt sepse kemi marrëveshje me qytetarin për transparencë, llogaridhënie dhe korrektësi.
Ne jemi të vendosur dhe këtu nuk ka mes e as kompromis.