I akuzuari për krime lufte në Klinë ndihet i pafajshëm

Prishtinë | 22 Gus 2018 | 10:54 | Nga

I akuzuari për krime lufte në një fshat të Klinës, Milorad Zajiq, ka deklaruar sot në gjykatë se ndihet i pafajshëm në akuzat për të cilat ngarkohet.

Zajiq akuzohet për pjesëmarrje aktive në përndjekjen e fqinjve të tij shqiptarë në fshatin Dush të Klinës në qershor të vitit 1998, raporton Kallxo.com.

Por kur u pyet nga kryetari i trupit gjykues në Gjykatën Themelore të Pejës, gjatë seancës së sotme, Zajiq tha se ndihet i pafajshëm.

“Jam i pafajshëm në akuzat që më ngarkohen”, deklaroi Zajiq.

Ai akuzohet se u përfshi në përndjekjen e fqinjëve të tij duke ofruar shtëpinë e tij si bazë për forcat e armatosura serbe duke qëlluar në drejtim të shtëpive të shqiptarëve.

Prokuroria Speciale e Kosovës pretendon se 19 qershor 1998, Zajiqi e kishte nisur betejën kundër shqiptarëve.

Sipas aktakuzës, ai ishte parë nga fqinjët derisa shkarkonte nga makina e tij Zastava armë ndërsa në mbrëmje i vetëm kishte nisur të qëllonte në drejtim të shtëpive të shqiptarëve.

Nga këto sulme mbetën të djegur në shtëpitë e tyre tre të moshuarit  Zade, Osman dhe Haradin Marmullaku.

Viktima të këtyre sulmeve ishin edhe katër banorë të tjerë të vrarë gruaja dhe vajza e të dëmtuarit Xheme Marmullaku dhe Ismet e Bashkim Marmullaku

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme