I akuzuari Fatmir Musliji ka refuzuar që të vazhdojë shqyrtimi gjyqësorë pa mbrojtësin e tij, avokatin Besnik Berisha, ani pse ky i fundit kishte dërguar si zëvendësuese avokaten Nora Grajqevci-Mehmeti.
Të akuzuarit Musliji dhe Brahim Xhemajli po akuzohen për veprën penale “Krim të organizuar me narkotik”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kryetari i trupit gjykuese, gjykatësi Mentor Bajraktari vendosi që seanca e së martës të shtyhet, kurse për avokaten Nora Grajqevci-Mehmeti dhe avokatit Besnik Berisha shqiptoi vërejtje për mos koordimin për të përfaqësuar të akuzuarin Fatmir Musliji.
I pranishëm ishte i akuzuari tjetër Xhemajli me avokatin e tij Fatlum Podvorica
Në anën tjetër nga prokuroria speciale prezent ishte prokurori Afrim Shefkiu.
Ndryshe, të pranishëm në seancën e së martës ishin dëshmitarët Ahmet Salihu dhe Sahit Beslimoviq, ndërkaq munguan Naser Bllaca, Fitnete Musliji, Flaka Ahmeti dhe Ahmet Baftiu.
Për dëshmitarët Flaka Ahmeti dhe Ahmet Baftiu, gjykatësi Mentor Bajraktarit tha se ende nuk ka marrë raport me shkrim se përse nuk është zbatuar urdhëresa për sjelle me forcë nga stacionet policore në Gjilan dhe Lipjan.
Ndërkaq, për dëshmitarët Fitnete Musliji gjykatësi Bajraktari shtoi se e njëjta gjendet jashtë shtetit por edhe për këtë dëshmitare nuk ka marr raport me shkrim.
Prandaj lidhur me mënyrën se si do të ftohen dëshmitarët në fjalë do të vendos pasi që të marrë raportet me shkrim nga stacionet policore të lartcekura.
Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua me 22 nëntor të këtij viti.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 13 shkurt 2018, Fatmir Muslijin, Z.G. dhe Brahim Xhemajlin i kishte shpallur fajtorë për shpërndarje të narkotikëve, kurse Muslji ishte liruar nga akuzat për shpëlarje të parave.
Shkalla e parë, të akuzuarit Musliji i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 10 vitesh si dhe dënim me gjobë prej 10 mijë eurosh. I akuzuari Xhemajli, ishte dënuar me katër vite e gjashtë muaj burgim dhe katër mijë euro gjobë. Kurse, Z.G ishte dënuar me tre vite e tre muaj burg dhe 500 euro gjobë.
Të akuzuarit Musliji, gjykata i kishte konfiskuar edhe 6.63 ari toke, një shtëpi, një veturë, narkotikun e gjendur tek ai dhe disa telefona.
Mirëpo, Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të ankesave si dhe shkresat e lëndës ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë sërish është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale andaj, kjo gjykatë e kishte anuluar aktgjykimin dhe çështjen ia kishte kthyer gjykatës së shkallës së parë për rigjykim.
Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit thuhet që në rigjykim kjo çështje penale ti jepet një trupi tjetër gjykues pasi që është hera e dytë që anulohet kjo lëndë e trupit gjykues duke mos përfillur vërejtjet e Gjykatës së apelit e që për gjykatën e shkallës së parë janë obligative.
Kurse, Gjykata Themelore në Prishtinë, me 5 prill 2016, tre të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë. Muslijin e kishte dënuar me 8 vite burgim dhe me gjobë në shumën prej 10.000 eurosh. Ndërsa, ndaj Xhemajlit, gjykata kishte shqiptuar 4 vite e 6 muaj dënim me burg si dhe me gjobë në shumën prej 4.000 eurosh. Kurse, të akuzuarin G., e kishte dënuar me 3 vite e 3 muaj burgim si dhe me gjobë prej 2.000 eurosh.
Mirëpo, pas ankesave të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe ankesave të mbrojtësve së të akuzuarve, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin dhe çështjen ia kishte kthyer gjykatës së shkallës së parë për rigjykim dhe rivendosje.
Sipas Apelit, i akuzuari Musliji ishte dënuar duke u bazuar vetëm në aktgjykimin e Gjykatës së Munchenit në Gjermani si dhe dëshmitë e dëshmitarëve, të cilët kishin deklaruar se narkotikun e kishin marrë nga Musliji. Një nga arsyet e Apelit, ishte se pa u dëgjuar këta dëshmitarë, nuk mund të ketë prova në procedurën penale që zhvillohet në Kosovë.
Ndërkohë, sipas aktakuzës, tre të akuzuarit kishin vepruar si një grup kriminal i strukturuar dhe i organizuar me qëllim të përfitimit të dobisë financiare, ku pa autorizim kanë shitur dhe transportuar substanca narkotike të llojit heroinë.
Sipas aktit të akuzës, i pandehuri Fatmir Musliji e kishte formuar dhe organizuar këtë grup kriminal të përbërë nga persona të ndryshëm në mes tyre edhe të pandehurit, Brahim Xhemajli dhe Z.G.
Sipas prokurorisë, Musliji nga dhjetori 2008 e deri në shkurt 2009 ka organizuar transportimin dhe shtijën e mbi 40 kilogramë heroinë për në Gjermani nëpërmjet rrugëve tokësore të disa shteteve, ndërsa për pjesën me të vogël të heroinës e ka organizuar shitjen e paautorizuar në tregun kosovar.
Musliji, Xhemajli e G, akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për krim të organizuar që ndërlidhet me veprën penale të blerjes, posedimit dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm.