Policia Rajonale e Gjakovës ka prangosur dje një shtetas të Shqipërisë nën dyshimet për “shtytje dhe vrasje e rëndë në tentativë”.
Sipas një burimi të Gazetës Express brenda Policisë së Kosovës, shtetasi i Shqipërisë dyshohet se angazhoi dikë për vrasje me pagesë për shkaqe të hakmarrjes, dhe shumat që i njëjti dyshohet se ofroi janë nga 50 mijë euro deri në 200 mijë euro.
“Policia ka pasur informacione për një marrëveshje për vrasje me pagesë. Shtetasi i Shqipërisë dyshohet se ofroi nga 50 mijë euro deri në 200 mijë euro, për kryerjen e vrasjes për shkaqe të hakmarrjes”, tha ky burim.
Mësohet se kohë më parë ishte vrarë një familjar i personit të arrestuar dje në Gjakovë, ndërsa ky i fundit për shkaqe hakmarrjeje kërkonte të vritej një tjetër person. Teksa merret vesh se vrasësi i familjarit të shtetasit të Shqipërisë është në vuajtje të dënimit.
Rastin e shtytjes në vrasje të rëndë në tentativë ka njoftuar sot policia me anë të raportit 24-orësh, me ç’rast është bërë e ditur se i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48-orë.
Njoftimi i plotë i policisë:
SHTYTJE & VRASJE E RËNDË NË TENTATIVË /Gjakovë 28.10.2020 – 10:00. Pas një pune hetimore me datë 28.04.2021 është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari mashkull shqiptar, shtetas i Shqipërisë, nën dyshimin se i njëjti kishte planifikuar të kryej veprën e lartcekur. Në lidhe me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cili pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë. Rasti vazhdon të hetohet.