Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq, i dënuar nga Tribunali i Hagës për gjenocid dhe krime të tjera lufte në Bosnje dhe Hercegovinë, u varros të hënën në Beograd me nderime shtetërore dhe ushtarake.
Mlladiq, i cili vdiq më 27 gusht në Hagë gjatë vuajtjes së dënimit me burgim të përjetshëm, u varros në varrezat e Topçiderit.
Ceremonia u shoqërua me të shtëna nderi dhe fjalime lamtumire, në të cilat u madhërua e kaluara e tij gjatë luftës.
Në prani të pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë, udhëheqësve politikë të Republikës Sërpska dhe zyrtarëve të Serbisë, të pranishmit brohoritën emrin e Mlladiqit dhe e përcollën arkivolin e tij me duartrokitje.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se nderimi dhe madhërimi i personave të dënuar për krime lufte, është i papranueshëm.
Arkivoli i Mlladiqit u ekspozua gjatë ditës në Kishën e Shën Lukës në Beograd, ku ceremoninë mortore e udhëhoqi kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.
Gjatë ceremonisë, ku pjesëtarë të gardës së nderit të Ushtrisë së Serbisë qëndronin në rojë, u bënë lutje që “gjeneralit Ratko t’i faleshin mëkatet e bëra me dashje dhe pa dashje”.
Porfirije tha se emri i tij “do të mbetet thellë i ngulitur në kujtesën dhe lutjet e pjesës më të madhe të popullit serb dhe ortodoks”.
Ai, gjithashtu, tha se populli serb “ushqen mirënjohje të thellë” ndaj Mlladiqit, pasi e sheh atë si “ushtar dhe komandant që, në një kohë të vështirë, qëndroi në krye të ushtrisë së popullit të tij”.
Për t’i bërë homazhe Mlladiqit, në Beograd ishin, mes të tjerëve, anëtarja e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, lideri i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur, Millorad Dodik, presidenti i Republikës Sërpska, Sinisha Karan, kryeministri i këtij entiteti, Savo Miniq, si dhe ministra dhe deputetë të tjerë të Republikës Sërpska.
Në mesin e zyrtarëve ishte edhe ministri i Punës dhe Mbrojtjes së Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës i Republikës Sërpska, Radan Ostojiq, si dhe Aleksandar Vulin, anëtar i Senatit të Republikës Sërpska dhe ish-ministër në Qeverinë e Serbisë, i sanksionuar nga Uashingtoni për shkak të lidhjeve me Rusinë.
Homazhe Mlladiqit i bënë edhe ministri i Kulturës i Serbisë, Nikolla Sellakoviq, dhe ministri për Investime Publike, Darko Gllishiq.
Mediat proqeveritare në Serbi raportuan se të pranishëm ishin edhe djali i presidentit të Serbisë, Danillo Vuçiq, dhe ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Harçenko.
Në varrimin e Mlladiqit morën pjesë edhe ministri serb i Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq, ministri i Drejtësisë, Nenad Vujiq, si dhe ministri pa portofol, Nenad Popoviq.
Në mesin e të pranishmëve ishte edhe kryetari i Banjallukës, Drashko Stanivukoviq, si dhe anëtarë të degës së grupit rus të motoçiklistëve “Ujqit e Natës”, të njohur për mbështetjen e tyre ndaj Kremlinit.
Në varrim nuk mori pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili deklaroi më herët se nuk mund të ishte i pranishëm për shkak të vizitës në Beograd të presidentit të Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev.
Vuçiq tha se kishte “bërë gjithçka” që varrimi të zhvillohej në “mënyrë dinjitoze” dhe hodhi poshtë kritikat nga Bashkimi Evropian për organizimin e varrimit të Mlladiqit me nderime shtetërore.
Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chuck Grassley dhe Keith Self u kanë bërë thirrje autoriteteve në Republikën Sërpska – entitetin serb të Bosnje dhe Hercegovinës – dhe në Serbi që të distancohen nga varrimi i Mlladiqit.
Në një deklaratë të përbashkët, senatorët rikujtuan përgjegjësinë e tij për gjenocidin dhe krimet e tjera në Bosnje dhe Hercegovinë, duke theksuar se ato përbëjnë disa prej krimeve më çnjerëzore të kryera në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Ratko Mlladiq ishte kriminel lufte dhe arkitekt i gjenocidit në Srebrenicë, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë. Forcat e tij ishin përgjegjëse edhe për rrethimin gati katërvjeçar të Sarajevës – një prej rrethimeve më të gjata në historinë moderne. Veprat e tij, të marra së bashku, përbëjnë disa prej krimeve më çnjerëzore të kryera në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Në të shtohet se është “thellësisht shqetësuese që Serbia ka paralajmëruar se Mlladiq do të varroset me nderime shtetërore dhe ushtarake”, si dhe që ish-lideri i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, e ka quajtur atë “luftëtar për lirinë serbe”.
“Është përdhosje e kujtimit të viktimave të tij dhe e rajonit që ende jeton me pasojat e fushatës së tij të spastrimit etnik, nëse një qeveri shënon ose madhëron vdekjen e tij. Ditët e ardhshme do të jenë një test nëse Serbia dhe Republika Sërpska janë të gatshme të shkëputen nga e kaluara dhe të ecin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe integrimeve euroatlantike, apo do të lejojnë që ajo e kaluar të bëhet sërish pengesë për një të ardhme më të mirë të qytetarëve të tyre”, thuhet në deklaratë.
Senatorët amerikanë i bënë thirrje Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës Sërpska që të përmbahen nga çfarëdo pjesëmarrjeje apo lidhjeje me ceremonitë e planifikuara dhe të sigurojnë që “asnjë deklaratë publike apo veprim zyrtar të mos e paraqesë Mlladiqin si diçka tjetër përveç asaj që ishte: arkitekt i dënuar i gjenocidit”.
Dy kongresistë amerikanë, Greg Murphy dhe Marc Veasey, vizituan Potoçarin të hënën, për t’u bërë homazhe viktimave të gjenocidit në Srebrenicë dhe për të riafirmuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për ruajtjen e së vërtetës dhe promovimin e përgjegjësisë.
“U bëjmë homazhe atyre që nuk janë më dhe shprehim solidaritetin tonë me të mbijetuarit”, thuhet në një postim të Ambasadës amerikane në Bosnje dhe Hercegovinë në platformën X.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë tha se madhërimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi bien ndesh me vlerat më themelore evropiane dhe se për to nuk ka vend as në BE, as në vendet kandidate për anëtarësim.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Serbi, duke thënë se madhërimi i një personi të dënuar për krime lufte dhe gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë, është “i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat bazohet rruga drejt Bashkimit Evropian”.
Për Mlladiqin, të shtunën, më 5 shtator, u mbajt edhe një ceremoni përkujtimore në Shtëpinë e Ushtrisë së Serbisë në Beograd.
Në të morën pjesë, mes të tjerëve, ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiq, dhe presidenti i Republikës Sërpska, Sinisha Karan.
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi e dënoi atë që e cilësoi si “keqpërdorim të burimeve shtetërore” gjatë transportimit të trupit të Mlladiqit dhe paralajmërimit të ceremonisë shtetërore përkujtimore për të.
Në narrativët e mediave në Beograd dhe Banjallukë, Mlladiq u paraqit si viktimë e Tribunalit të Hagës, i cili nuk e lejoi të shkonte për trajtim mjekësor në Serbi, ndërsa dënimi i tij dhe viktimat pothuajse nuk u përmendën.
Misioni i OSBE-së në Bosnje dhe Hercegovinë tha të hënën se është i shqetësuar për transmetimin e drejtpërdrejtë të ceremonisë përkujtimore për Mlladiqin nga Radio-Televizioni i Republikës Sërpska (RTRS), gjatë së cilës folësit e madhëruan atë disa herë.
OSBE-ja i bëri thirrje Agjencisë Rregullatore të Komunikimeve që ta vlerësojë pa vonesë këtë raportim dhe “të reagojë në mënyrë proporcionale ndaj çdo shkeljeje të konstatuar”.
“Respektimi i fakteve të vërtetuara nga gjykatat dhe i dinjitetit të viktimave dhe të mbijetuarve është thelbësor për gazetarinë e përgjegjshme, pajtimin dhe paqen e qëndrueshme në Bosnje dhe Hercegovinë”, thuhet në reagim.
Homazhet për Mlladiqin u mbajtën edhe pse ligji penal në Bosnje dhe Hercegovinë e ndalon dhe e ndëshkon mohimin publik të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës të vërtetuara me vendime gjyqësore të formës së prerë, si dhe madhërimin e personave të dënuar përfundimisht për krime lufte.
Për këto vepra parashihet dënim deri në pesë vjet burgim. /REL