I infektoi prindërit, Rama: Djali do të ndëshkohet

Prishtinë | 24 Pri 2020 | 16:17 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas numrit të shtuar të infeksioneve me Covid-19, duke u ndalur te rasti i një të riu nga Tirana, që pasi shkeli rregullat e karantinës, infektoi prindërit.

Sipas Ramës, ndaj djalit do të nisin hetimet dhe do të ndëshkohet penalisht.

“Një lajm i keq nga testimet e djeshme, që duhet të vlejë si mësim për të gjithë.

Djali me Covid19, pa simptoma, thyen rregullin e del nga Tirana drejt një zone tjetër të vendit, ku jetojnë dy prindërit e tij të moshuar. U shkon prindërve në shtëpi dhe u transmeton bombat në trup! Prindërit dalin të dy pozitivë dhe jo vetëm mosha, po edhe shëndeti i tyre i kthen në pacientë me jetën në rrezik!!!

Natyrisht që për djalin do të nisin hetimet dhe ai mund të ndëshkohet jo vetëm administrativisht, po edhe penalisht, por si mund t’u bëhet një “peshqesh” i tillë njerëzve më të dashur në botë?!

A e kuptoni se kjo nuk është lojë?! A e kuptoni se në këtë luftë, kush shkel rregullat nuk ia hedh shtetit, po ia fut vetes dhe familjes së tij?! A e kuptoni se duke u hapur më tej, ne jemi potencialisht armiku vrastar i prindërve tanë, nëse nuk respektojmë rregullat, duke u sjellë si karagjozë të papërgjegjshëm me veten, me prindërit, me familjen e me shoqërinë?!

Lus Zotin që ata dy pleq të mos ikin nga kjo botë e të mos mbeten pishmani i jetës së atij djali të papërgjegjshëm dhe ju lutem të gjithëve: MoS! MoS! MoS!

Stop me hilet e me karagjozllëqet, sepse mund të bëheni mosozot, vrasës të njerëzve tuaj më të shtrenjtë”, shkruan Rama sot në rrjetet sociale.

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare është përballur vazhdimisht me kritikat për mungesë të testimeve masive, pasi personat mund të jenë të infektuar dhe si në rastin e djalit që citon kryeministri, nuk shfaqin simptoma, duke u kthyer në vatër infeksioni per të tjerë.

Të ngjashme