Një ndër vendet në të cilat është rikthyer së fundmi Coronavirusi është edhe Ferizaj, ku brenda 24 orëve të fundit ka shënuar edhe një rast pozitiv me Covid-19.
Siç bëhet e ditur ky i fundit i cili u regjistrua dje si rast i infektuar, burimin e infeksionit e ka nga Prishtina, ku çdo ditë po shënohen dhjetëra raste pozitive me virusin Corona.
Drejtori i Shëndetësisë Publike në Komunën e Ferizajt, Bekim Ademi, tregoi për gjendjen shëndetësore të rasteve aktive me Coronavirus në këtë vend.
Ai tutje njoftoi se përgjatë kësaj kohe 10 persona po vazhdojnë të jenë të prekur nga ky infeksion, shtatë prej të cilëve janë konfirmuar brenda javës së fundit.
Ndërsa, rasti i fundit që u bë i ditur dje nga IKSHPK, është qytetar nga Prishtina me vendbanim në Ferizaj, i cili është infektuar në Prishtinë.
“Gjendja e të infektuarëve është stabile, pa simptome të theksuara, dhe në kujdesin e kohë pas kohe të personelit të qendrës kryesore mjekësisë familjare! Raste aktive kemi gjithsej 10, prej të cilave 7 janë të konfirmuar në javën e fundit. Sa i përket rastit të fundit, është qytetar nga Prishtina me vendbanim në Ferizaj, burimin e infeksionit e ka në komunën e Prishtinës!”, ka thënë Ademi, shkruan Gazeta Metro.