Iu dha lamtumira e fundit 18-vjeçares M.O., në varrezat e qytetit të Ferizajt, e cila u vra të dielen në banesën e partnerit të saj. Pas dy ditësh në arrati, policia ka arrestuar sot të dyshuarin kryesor Dardan Krivaqa, ndërsa për Arbër Sejdiun gjykata ka caktuar një muaj paraburgim, raporton Ekonomia Online.
Para se të niste ceremonia e varrimit, në Ferizaj u protestua dhe u kërkua drejtësi për vrasjen e 18-vjeçares.
Protesta u përcoll me numër të madh të pjesëmarrësve dhe me pankarta të ndryshme, ndërsa disa nga pjesëmarrësit u hodhën ngjyrë të kuqe policëve që po përkujdeseshin për sigurinë në hyrjen e oborrit të stacionit policor.
Në varrim u pa numër i madh i pjesëmarrësve e në mesin e tyre ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti pasi vendosi lule te varri i të ndjerës ka ngushëlluar familjarët e të pranishmit tjerë.
“Sot të gjithë ne kemi shumë pikëllim, sot të gjithë ne kemi shumë zemërim. Jeta e një vajze të re 18-vjeçare është këputur nga një vrasje mizore. Para 1 orë e gjysmë i dyshuari për vrasjën që e tronditi Kosovën është arrestuar dhe tash duhet të ketë gjykim të drejtë e dënim të merituar”,u shpreh Kurti ndër të tjera.
Në ceremoninë e varrimit të 18-vjeçares së vrarë në Ferizaj, M.O., në emër të familjes fjalën e ka marrë një i afërm i viktimës.
Ai ka falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen dhe është lutur që ky të jetë rasti i fundit i vrasjes së grave në Kosovë.
Gjithashtu ai ka thënë se të rinjtë duhet ta gëzojnë lirinë dhe drejtësinë.
“Besoj se organet e Kosovës do ta çojnë drejtësinë deri në fund, uroj që të jetë rasti i fundit dhe fjala përfundimtare të jetë stop sepse të rinjtë kanë nevojë me gëzu lirinë, drejtësinë”, u shpreh ai, raporton EO.