I jepet lamtumira e fundit Bajram Qerkinit

Prishtinë | 25 Shk 2025 | 12:33 | Nga Ekonomia Online

Në varrezat e fshatit Shipol të Mitrovicës i është dhënë lamtumira e fundit Bajram Qerkinit, kryetar i Shoqatës “Zëri i Prindërve” dhe një nga zërat më të fuqishëm në kërkimin e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Në ceremoninë mortore morën pjesë familjarë, bashkëveprimtar, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë të shumtë, të cilët i dhanë lamtumirën e fundit njërit prej figurave më të njohura në betejën për drejtësisë dhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Për rreth 25 vite Qerkini është përpjekur për të ditur fatin e djalit të tij dhe të personave të tjerë të pagjetur nga lufta në Kosovë.

Krahas familjarëve e bashkëpunëtorëve të tij, i pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza.

Presidentja Vjosa Osmani, përmes një telegrami ngushëllimi të lexuar nga këshilltari ushtarak i saj, e cilësoi Qerkinin si simbol të qëndresës për drejtësi e përkushtimit të pa lëkundur në rrugën për ta zbardhur fatin e të zhdukurve.

Ajo theksoi se ai jetoj me dhimbje për të birin e tij të zhdukur, por kurrë nuk u dorëzua në kërkim për të vërteten.

“Bajrami ishte simbol i qëndresës, drejtësi dhe i përkushtimit të pa lëkundur për ta zbardhur fatin e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. Për më shumë se dy dekadë ai jetoj me dhimbje për të birin e tij të zhdukur për të mos u ndalur kurrë në kërkimin për të vërteten. Sot Kosova humbi një zë të fuqishëm të kauzës për drejtësi, por trashëgimia e tij mbetet e gjallë”, ka thënë ajo.

Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për personat e pa gjetur, ka thënë se Qerkini e kishte mënyrë të jetesës mosdorëzimin dhe se ishte shndërruara në sinonimin e njeriut shembull të durimit dhe forcës shpirtërore.

“E kishte mënyrë të jetesës mosdorëzimin. Ai ishte shndërruar në sinonimin e njeriut shembull të durimit dhe forcës shpirtërore, ne sinonimin e njeriut shembull të përkushtimit dhe angazhimit. Dhimbjen me të madhe që e përjeton një prind siç është mungesa e informacioneve për djalin e rrëmbyer dhe të zhdukur, këtë dhimbje  të madhe e shndërroj në forcë e angazhim. Në përpjekje jo vetëm për djalin Reshatin, por për mijëra e mijëra familje që e patën të njëjtin fat që jetojnë në dhimbje dhe ankthin e pritjes”, ka thënë ai.

Hoxha Shefqet Krasniqi, tha se Qerkini ishte njeriu që gjithë jetën e tij ja kishte përkushtuar popullit të Kosovës.

“Krejt kombi ynë edhe miqtë e tanë flasin e kujtojnë këtë burrë të madh. I cili edhe ky si njerëzit e tjerë do ta shijoj vdekjen. Jo vetëm që u shndërrua ajo dhimbje në fuqi, por edhe më shumë se kaq, burra të mëdhenj të cilët kanë derte të mëdha, mërzit telashet dhe lodhjet e tyre i harrojnë kur merren me punët e të tjerëve. Ky njeri ka qenë njeri që ja ka përkushtuar jetën e vetë këtij populli, kësaj shoqërie, në veçanti pas asaj sprove që i ndodhi këtij dhe gjithë kombit shqiptar. Ta marrim mostër, e model këtë burrë të madh të cilin nuk e mashtroj posti, nuk e mashtroj dynja e asgjë. Por kishte qëllime madhore”, ka thënë ai.

Të ngjashme