Përfaqësuesi nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave, Arlind Popaj i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, të mërkurën është dënuar me 1,500 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Fillimisht Popaj u dënua me 6 muaj burgim, mirëpo ky dënim me burg, me pëlqimin e të akuzuarit iu zëvendësua në dënim me gjobë në vlerë prej 1,500 euro, të cilin dënim duhet ta paguaj në tri këste të barabarta, por jo më gjatë se gjashtë muaj.
Aktgjykimin e ka shpallur gjykatësi Alban Ajvazi pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për veprën që i ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 9 shkurt 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj Arlind Popajt, të cilin e akuzon se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”
Në aktin akuzues thuhet se i akuzuari Popaj në vitin 2018 në lokalin “Edona”, në Vushtrri, cilësinë e personit zyrtar, si përfaqësues për mbrojtjen e viktimës, duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalon kompetencat e tij dhe nuk i përmbush detyrat e tij zyrtare, pra nuk ndërmerr veprime zyrtare që është i detyruar të ndërmerr me qëllim që të përfitoj dobi pasurore për vete.
Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari në cilësinë e përfaqësuesit për mbrojtjen e viktimës, kërkon nga ana e vëllait të të dëmtuarës F.P, e cila ishte viktimë e dhunës në familje, shumën prej 3,000 euro në formën e borxhit, edhe pse i njëjti asnjëherë më parë nuk është njohur me të dëmtuarën apo familjarët e saj.
Tutje, në aktakuzë thuhet se e dëmtuara dhe vëllai i saj nuk kanë pas shumën prej 3,000 mijë euro, mirëpo e dëmtuara parat e kursuera të djalit të saj në shumën prej 1,400 euro.
Ato para, ajo ia jep përmes vëllait të saj, të akuzuarit, për arsye të blerjes së një veture nga ana e të akuzuarit , si dhe shumën prej 90 euro i cili kishte kërkuar po ashtu nga vëllai i të dëmtuarës për trajtimin shëndetësor të djalit të akuzuarit për shërimin jashtë vendit si dhe përfitime të tjera si: mbushjen e veturës me karburant, darka dhe dreka të cilët kanë qenë të detyruar t’i shërbejnë të akuzuarit duke e shfrytëzuar pozitën e vështirë të të dëmtuarës e cila ka qenë subjekt i dhunës fizike dhe psiqike nga ana e burrit të saj.
Sipas gjykatësit Ajvazi, nëse dënimi me gjobë nuk paguhet, gjykata do ta zëvendësojë atë në dënim me burg, ku një ditë burgim do t’i llogaritet 20 euro dënim me gjobë.
I akuzuari Popaj është obliguar që të paguaj edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 30 euro në emër të paushallit gjyqësor si dhe 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.
Kurse, pala e pakënaqur ndaj këtij vendimi ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh, nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.
Gjithashtu, gjykatësi Ajvazi ka njoftuar se është refuzuar kërkesa e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, pasi që sipas tij nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase.
Paraprakisht, në seancën e së mërkurës i akuzuari Popaj është deklaruar fajtor për veprën penale që i vihet në barrë, duke shprehur keqardhje për atë që ka ndodhur.
“Unë po, e pranoj fajësinë. Unë me këtë familje kam qenë i lidhur sikur familjarisht, kemi pas synime me lidh krushqi në mes veti. Unë shprehi keqardhje për këto veprime, edhe para familjes së tynve edhe para juve por edhe para zotit”, tha i akuzuari, duke shtuar se është hera e parë që ka rënë ndesh me ligjin dhe se ndihet shumë i “fyer”, për atë që ka ndodhur.
“Kjo ka qenë hera e parë në jetën time që kom bo vepër, se qe 20 vite jom në këtë punë. E ndij veten shumë i fymë”, shtoi i akuzuari.
Në këtë seancë palët gjithashtu janë deklaruar edhe rreth kërkesës për caktimin masës së paraburgimit ndaj të akuzuarit Popaj.
Prokurori Halimi ka thënë se mbetet pranë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, vetëm për shkak të peshës së veprës penale.
Ndërsa këtë kërkesë e ka kundërshtuar avokati Jupolli, pasi që sipas tij, pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari nuk ekzistojnë asnjë nga kushtet ligjore që të mbrojturit të tij t’i caktohet masa e paraburgimit.
“Për më tepër të mbrojturit tim, i dihet ekzakt, adresa e banimit. Duke qenë se në këtë fazë të procedurës penale i mbrojturi im e pranoj fajësinë, me vet faktin që e ka bërë këtë veprim në seancën e sotme dhe duke pasur parasysh se tashmë është bërë mediatik rasti i tij, mbrojtja konsideron se edhe publikimi i rastit të tij është një dënim plotësues për të. Të caktohet masa e paraburgimit pas pranimit të fajësisë me veprën penale të cilën, duke pasur parasysh rrethanat e ndodhjes së saj, nuk ka rrezikshmëri shoqërore, dhe vet pranimi i fajësisë e prevalon peshën e veprës penale”, tha avokati Jupolli.
Andaj, avokati Jupolli gjykatës i ka propozuar që kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ta refuzoj si të pabazuar.
Edhe i akuzuari Popaj e ka mbështetur fjalën e mbrojtësit të tij, duke shtuar se është penduar për veprimet e tij.
“Unë jom penduar për këtë vepër, e kom pranu fajin, unë i premtoj gjykatës që nëse është nevoja, une muj me nejt veç në shpi deri sa të bohet dënimi i plotfuqishëm. Avokati e elaboroj është edhe një dënim shumë më i rëndë se ky dënim që kam me marr tash, është dënimi moral”, tha i akuzuari.