I nevojshëm sistematizimi i performancës së vendeve të punës në ndërmarrjet publike

Prishtinë | 28 Shk 2024 | 13:19 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sistematizimi i performancës së vendeve të punës: Cili është efekti i tij në Ndërmarrjeve Publike? ishte tema e radhës në kuadër të Konferencës së Dytë Vjetore “Rritja e Mbikëqyrjes Publike dhe Llogaridhënies Institucionale në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.

Gjatë këtij diskutimi u tha se gjatë vitit 2022 sipas një raportit të Institutit GAP ndërmarrjet publike kanë një qarkullim prej 500 milionë euro dhe të njëjtat punësojnë rreth 11 mijë persona dhe se katër nga tete ndërmarrje publike që operojnë në Kosovë operojnë më humbje.

Nga panelistët u tha se sistematizimi i performancës së vendeve të punës është shumë i rëndësishëm pasi përfshin përcaktimin e të gjitha detyrave, pozitave nëpër ndërmarrje, detyrat, përgjegjësit në çdo pozitë. Mandej  kualifikimet përkatëse, përfshihet niveli i pagave, koeficientet e shumë elemente te tjera që sipas tyre janë më se të domosdoshme në një kompni qoftë publike ose private.

Albana Berisha, anëtare e Bordit në KRU Prishtina, ka thënë se kjo ndërmarrje nga viti 2022 ka funksionuar me strukturën organizative të re e cila sipas saj, është duke dhënë rezultate e veta.

“KRU ‘Prishtina’ strukturën organizative e ka ndryshuar në vitin 2022, më tutje kemi vazhduar me rishikimin, shqyrtimin dhe aprovimin e sistematizimit të performancës së vendeve të punës. Sistematizimi i vendeve të punë është shumë i rëndësishëm, ku përfshihet përcaktimi i të gjitha detyrave, pozitave nëpër ndërmarrje, detyrat, përgjegjësit në çdo pozitë, mandej kualifikimet përkatëse që na nevojiten, përfshihet niveli i pagave koeficientet e shumë elemente te tjera që janë më së të domosdoshme në një kompani qoftë publike ose private. KRU ‘Prishtina’ ka aktualisht 610 punëtorë, kemi një strukturë me 86 për qind meshkuj e 40 për qind femra, nuk kemi shumë të punësuar”, ka thënë ajo.

Naser Krasniqi, Kryeshef Ekzekutiv në Infrakos, tha se ndryshimi e rregullores së re në këtë ndërmarrje qysh në vitin e parë janë kursyer 170 mijë euro.

“Jemi duke e monitoruar rregulloren e re, qysh në vitin të parë kemi kursyer 170 mijë euro. Jemi në kulmin e rezultatit dhe për herë të parë ka rritje të Infrakosit. Kjo është si rezultat i strukturimit të ri i alokimit të resurseve humane”, ka thënë ai.

Dardan Velija, Kryeshef Ekzekutiv në Kompania për Menaxhimin e Deponive (KMDK), tha se kjo kompani menaxhon katër deponi dhe se i mbulojnë 400 mijë ton mbeturina prej rreth 650 mijë ton në vit që gjenerojnë familjet kosovare.

Ai tha se strukturat organizative në shumë ndërmarrje publike u janë përshtatur individëve specifik dhe jo nevoja të kompanisë, për të cilën tha se duhet të ndermirën masa.

“Jemi më pak se 100 persona, nuk është menaxhuar siç duhet kompania. Disa deponi është dashur që të mbyllen shumë herët por ende janë funksionale. Donatorët e kanë bërë një studim fizibiliteti në të cilin kanë propozuar masat që duhet ti marrim na. Kolegët tanë janë edhe në rrezik jete edhe ambienti është i cenuar. Kjo është bërë fale donatoreve por është mirë që t’i marrim vetë përsipër që të mos ndërmerrmi me donatorë. Na është dashur shumë vite që të mos bëjmë studime të tilla. Struktura organizative në shumë ndërmarrje publike ju është përshtatur individëve specifik dhe jo nevojave të kompanisë, krijim të vendeve të punës, krijim të pozitave që do të duhet në të ardhmen të mos ndodhin më. Nepotizmi e kemi nëpër të gjitha ndërmarrjet publike në niveli që nuk duhet me toleru, duhet të merren masa”, ka thënë ai.

Konsorciumi CorrWatch i përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka filluar zbatimin e projektit tre-vjeçar të titulluar: “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës”. Ky projekt ka në qendër monitorimin e rregullt në pesë fusha kryesore:

1. proceset e rekrutimit në sektorin publik, 2. praktikat e prokurimit publik dhe menaxhimin e kontratave, 3. shpërndarjen e granteve dhe subvencioneve, 4. dhënien e lejeve, licencave dhe tarifave, dhe 5. performancën dhe menaxhimin e ndërmarrjeve publike. Përtej monitorimit, ky projekt gjthashtu ofron ekspertizë dhe mbështetje të vazhdueshme për institucionet publike për t’i eliminuar parregullsitë dhe shkeljet ligjore që mund të hasen, në mënyrë që të njëjtat të përmirësohen dhe të vendosen praktika të mira.

Kjo Konferencë Vjetore ka për qëllim të shpalos rezultatet dhe sfidat e identifikuara gjatë monitorimit një vjeçar, për periudhën shkurt 2023-janar 2024, për të gjitha fushat e lartëpërmendura, si dhe të shërbej si një platformë për të ofruar rekomandime për përmirësime të nevojshme. Ndër të tjera konferenca synon të ngjallë diskutim lidhur me aspektet kryesore, sfidat dhe praktikat e mira në këto fusha duke mbledhur përfaqësues institucionalë, ekspertë si dhe shoqërinë civile.

Të ngjashme