Një përleshje fizike mes disa të miturve ka ndodhur sot në Gjakovë në mesditë.
Për pasojë, një i mitur mori lëndime nga thika dhe fillimisht u dërgua në Emergjencën e Gjakovës e më pas u nis drejt QKUK-së.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zyrtarja për informim në policinë rajonale të Gjakovës, Vlera Krasniqi.
“Sot më datë 13 janar 2026 , rreth orës 12:30 është pranuar informata për një përleshje fizike në rrugën “Beqir Kastrati” mes disa personave të mitur. Si pasojë e kësaj përleshjeje, njëri nga personat e përfshirë ka pësuar lëndime trupore të shkaktuara nga një mjet i mprehtë dhe i njëjti ka marrë trajtim mjekësor fillimisht në Emergjencën e Spitalit në Gjakovë dhe më pas është transferuar në QKUK për trajtim të mëtejshëm”, tha ajo.
Krasniqi tha se viktima është intervistuar në prani të prindit, ndërsa njëri nga të dyshuarit është duke u intervistuar.
“Njësitë relevante policore kanë reaguar menjëherë ndaj rastit dhe po vazhdojnë me veprime hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit”, tha ajo.