Mbrëmë në Tetovë, policia ka qëlluar për vdekje një person, i cili ishte i dyshuar për një vrasje të ndodhur rreth një muaj e gjysmë më parë dhe ishte në kërkim nga policia.
Vrasja e tij ka ardhur pasi forcat policore kanë shkuar që ta arrestojnë, ndërkaq i dyshuari ka rezistuar duke shtënë në drejtim të tyre.
Me këtë rast, policia ka hapur zjarr ndaj tij dhe e ka qëlluar për vdekje.
“Më 23.08.2024 rreth orës 22:00, zyrtarët policorë të SPB Tetovë, pas informacioneve të marra se L.M (41) nga fshati Gajre e Tetovës, i cili dyshohet për vrasje që ka ndodhur më 05.07.2024 dhe ka qenë i kërkuar për arrati nga spitali psikiatrik i Bardovcës, ndodhet në fshatin Gajre, kanë ndërmarrë masa dhe aktivitet për privimin e tij nga liria”, thonë nga policia.
Nga policia thonë se duke kontrolluar tre shtëpi në fshatin Gajre, në shtëpinë e Z.M ka qenë i dyshuari L.M i cili ka qenë i armatosur me pushkë automatike dhe ka rezistuar duke mos vepruar sipas urdhrave të policisë.
Thuhet se ai ka drejtuar armën ndaj policëve, pas së cilët policët kanë qëlluar në drejtim të tij, nga ku edhe ka humbur jetën.
“Pas neutralizimit të L.M, është kërkuar ndihmë mjekësore dhe po ashtu është njoftuar prokurori publik. Te L.M është gjetur pistoletë dhe plumba. L.M humbi jetën rreth orës 22:50, ndërsa vdekjen e ka konstatuar mjeku i Ndihmës së Shpejtë”, thonë nga policia.
Këqyrjen e vendit të ngjarjes e kanë kryer ekipet policore, ndërsa me urdhër të Prokurorit Publik, trupi i pajetë është dërguar për obduksion.
Ndërkaq, sipas mediave në Maqedoni të Veriut, thuhet se aksioni i mbrëmshëm i forcave policore ka të bëjë me vrasjen e para një muaji, gjuajtjen me armë të para dy muajve në Tetovë, si dhe rrahjes para gjykatës së Tetovës dhe plagosjes para urgjencës të spitalit të Tetovës, mes dy vëllezërve nga Gajreja dhe një familje nga Tetova, ku mbeti i plagosur më vonë edhe vdiq njëri nga vëllezërit.