Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti, ka shkarkuar drejtorin e Aviacionit Civil, Eset Berishën. Sipas raportimeve, z.Berisha u shkarkua nga kryeministri në detyrë pas arsyetimit që ka marrë nga Zyra e Kryeministrit. Eset Berisha është i njohur -vec tjerash – për nënshkrimin që ka hedhur në marrëveshjes për linjën ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit në janar të këtij viti në Berlin. Marrëveshja e ndërmjetësuar nga ambasadori Richard Grenell, ishte konsideruar si ‘fitore’ nga presidenti amerikan, Donald Trump…
Eset Berisha u bë i njohur për nënshkrimin e marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë – Beograd. Marrëveshja e nënshkruar më 20 janar të këtij viti në Berlin dhe ishte inicuar e ndërmjetësuar nga administrate amerikane, përkatësisht i dërguari i posacëm i presidentit Trump për dialog mes Kosovës e Serbisë, Richard Grenell.
Marrëveshja parasheh që përmes linjës ajrore, ‘të mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe mallrave edhe përmes transportit ajror’.
Vetë presidenti amerikan, Donald Trump, e kishte konsideruar si ‘fitore’ këtë marrëveshje të nënshkruar në Berlin nga Prishtina dhe Beogradi.
“Të gjithë thoshin se nuk bëhej dot. Por, për herë të parë në një gjeneratë do të ketë fluturime të drejtpërdrejta midis Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore”, kishte shkruar presidenti Trump.
Atëkohë, ishte hapur një debat lidhur me atë se a ishte informuar kryeministri Kurti për këtë marrëveshje. Vetë z. Berisha, në një prononcim për Kallxo.com, pati deklaruar se ‘pa përkrahjen edhe të Kryeministrit dhe Presidenti’ nuk do të mund të arrihej një marrëveshje e tillë.
“Sigurisht se janë informuar (Kryeministri dhe Presidenti) sepse pa një përkrahje të tillë ne nuk do të ishim në gjendje që ta nënshkruajmë një letër të tillë të interesit”, kishte deklaruar Berisha për Kallxo.
Ndërkaq Kurti, në një prononcim për Zërin e Amerikës, kishte deklaruar:
“Ne e kemi lexuar atë shprehje të interesit, që është publikuar dhe natyrisht që do ta trajtojmë si qeveri e Republikës së Kosovës edhe me autoritetet përkatëse sepse në këtë aspekt këtu hyjnë edhe Agjencioni i Aviacionit Civil në Kosovë, Aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës, KFOR-i, etj, dhe pas një analize që do t’ia bëjmë kësaj me siguri do të shohim se si mund të ecim më së miri përpara”.