Departamenti i Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit M.A., për shkak të veprës penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme”.
Sipas aktakuzës, që nga viti 1999 e deri më sot, në Gjilan, i pandehuri M.A., në mënyrë të vazhdueshme dhe të kundërligjshme ka uzurpuar pronën e paluajtshme të personit tjetër, banesën në sipërfaqe prej 59.65 m2, pronë e të dëmtuarit S.C., në atë mënyrë që pa asnjë dokument pronësie, pa lejen dhe pëlqimin e të dëmtuarit ka hyrë në banesën e tij, të cilën e shfrytëzon edhe tani pa asnjë bazë ligjore.
“Gjendja faktike, përpos tjerash është vërtetuar edhe nga vendimi mbi ndarjen e banesës në shfrytëzim, si dhe gjatë intervistimit edhe vet i pandehuri e ka pranuar se në atë banesë është vendosur që nga viti 1999, me të cilat prova vërtetohet koha, vendi dhe mënyra e kryerjes së veprës penale”, thotë Prokuroria.
Prokuroria me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin menjëherë ta obligojë që ta lirojë pronën e uzurpuar dhe të njëjtën t’ia kthejë pronarit të ligjshëm, në gjendje të mëparshme.
Gjithashtu, prokuroria ka propozuar që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të njëjtit t’i shqiptohet dënimi i merituar sipas Ligjit.