Nuredin Ibishi, kandidat për deputet nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, ka përpiluar një plan për “formësimin e politikës së sigurisë kombëtare dhe transformimin me funksionalizim të sektorit të sigurisë në Kosovë”.
Plani i hartuar nga Ibishi përbën pikën 9 të parimeve qeverisëse të koalicionit, dhe ka për synim avancimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së vendit.
“Duhet sa më parë të merren masat për stabizilimin, ristrukturimin dhe riorganizimin në mënyrë që gjithë sektori i sigurisë të jetë në gjendje të përballet me rreziqet, kërcënimet me sfidat e sigurisë ( nga burimet e brendshme apo të jashtme)”, ka vlerësuar Ibishi.
Ja çfarë thuhet saktësisht në këtë plan:
Kosova tash 17 vite nga çlirimi dhe 9 vite nga shpallja e pavarësisë mbetet në tranzicion të vazhdueshëm të sektorit të sigurisë por pa një funkcionalizim të plotë substancial të këtyre segmentëve të sigurisë si në zbatimin e politikave të sigurisë kombëtare poashtu edhe zbatimin e dispozitave ligjore. Deri tash janë bërë dy rishikime strategjike të sektorit të sigurisë në vitet: 2007 dhe 2014, e gjithë kjo është bërë me qëllim të formësimit të arkitekturës së sektorit të sigurisë duke përfshi politikën e sigurisë kombëtare në harmoni me rregullat dhe standardet ndërkombëtare.
Me Rishikimi Strategjik i Sektorit të Sigurisë në Kosovë i vitit 2014 është bërë vlerësimi i gjendjes ekzistuese nga rreziqet dhe kërcënimet e sigurisë në Kosovë me gatishmërinë për t,ju përgjigjur këtyre sfidave duke ngritur, formësuar, transformuar dhe funkcionalizuar sistemin e sektorit të sigurisë në Kosovë. Gjithashtu është paraparë edhe nevoja plotësimin dhe ndryshimin e politikës së sigurisë kombëtare në rend të parë Strategjisë së Sigurisë së Kosovës dhe Planit të Veprimit.
Aktualishtë mungojnë reformat e duhura në të gjithë sektorët duke filluar nga: struktura organizative, performance, hierarkia, koordinimi deri te bashkëpunimi i ndërsjell në mes tyre. Prandaj, duhet sa më parë të merren masat për stabizilimin, ristrukturimin dhe riorganizimin në mënyrë që gjithë sektori i sigurisë të jetë në gjendje të përballet me rreziqet, kërcënimet me sfidat e sigurisë ( nga burimet e brendshme apo të jashtme).
Masat dhe veprimet që duhet ndërmarrur me qëllim të zbatimit të reformave të duhura për fukcionalizimin dhe bashkëveprimin e sektorëve të sigurisë :
1. Analiza dhe vlerësimi i situates së përgjithshme dhe gjendjen konkrete të sigurisë kombëtare, rendit dhe sigurisë publike, sigurisë së komuniteteve deri te siguria personale;
2. Vlerësimi i rreziqeve dhe kërcënimeve të të brendshme dhe të jashtme të sigurisë;
3. Interesat dhe synimet nacionale;
4. Politikat e sigurisë dhe të mbrojtjes me gadishmërinë e përballjes të sektorëve të sigurisë;
5. Analiza e kapaciteteve;
6. Analiza e kostos;
7. Zbatimi praktik i paraparë me planin e veprimit për secilën agjenci të zbatimit të ligjit;
8. Vlerësimi i zbatimit të mbikëqyrjes me mekanizmat ndaj sektorit të sigurisë siç janë Qeveria në kry me Sekretariatin e Këshillit të Sigurisë të Kosovës, Kuvendi me komisionet funksionale të sigurisë, shoqëria civile, mediat dhe qytetarët.
Pa dyshim se zbatimi i rishikimit dhe transformimit duhet të ketë agjendën e prioriteteve duke filluar nga:
– Ndryshimi dhe formësimi i politikës së sigurisë kombëtare komformë rregulloreve ndërkombëtare (hartimi i Strategjisë Kombëtare të Sigurisë me Planin e Veprimit).
– Plotësim-ndryshimi i ligjeve të sektorit të sigurisë duke i harmonizuar sipas standardeve ligjore Evropiane dhe rregullave dhe standardeve të NATO-së.
– Zbatimi i plotë dhe funkcionaliteti i Këshillit të Sigurisë së Kosovës me Sekretariatin dhe Dhomën e Situatave (në gjendje paqe dhe në situatat e gjendje së jashtëzakonshme)
– Ndryshimi i mandatit nga ai civil në atë ushtarak të FSK-së dhe transformin në Forca të Armatosura të Kosovës;
– Agjencia për Inteligjencë e Kosovës duhet të jetë proative në zbatimin e mandatit dhe detyrave të parapara me ligj.
– Analiza dhe këmbimi i informacionit të sigurisë (në nivel vendor dhe ndërkombëtar).
– Anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale të sigurisë dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.
Me rëndësi të veçantë është funkcionalizimi dhe bashkëpunimi në zbatimin e detarave ligjore në mes të Inteligjencës-Policisë Prokurorisë dhe Gjykatës me qëllim të qasjen sipas prioriteteve në përballje me trendët e krimit, rreziqeve dhe kërrcënimeve nga dukuritë e krimit të organizuar , terrorizmit dhe kërrcënimeve tjera.
Gjithashtu duhet të ketë një bashkëpunim dhe koordinim me të gjithë akterët e sektorit të sigurisë në Kosovë vendore dhe ndërkombëtare me një gjithëpërfshirje nga këndvështrimi politik dhe profesional mbështetur në ndihmën e komuniteteve, shoqërisë civile, mediave dhe qytetarëve. Prioritet duhet dhënë bashkëpunimit me partnered tonë strategjik siç janë mekanizmat ndërkombëtar me mision në Kosovë në rend të parë shtetet aleate në krye me ShBA, BE dhe NATO-në.