Ibra i ndihmonte të gjithë…

Prishtinë | 04 Shk 2024 | 18:40 | Nga Rrustem Rugova

Gjatë homazheve për Ibrahim Rugovën sivjet më kanë pyetur edhe publikisht disa gazetarë: sa ka qenë i afërt Ibra me bashkëfamiljarët e vet (mendohej në rrethin më të gjerë familjar). Unë kam thënë gjithmonë dhe gjithmonë kam për ta përsëritur se Ibrahim Rugova i lindur dhe i rritur në ato rrethanat më të zeza për popullin shqiptar, Ibra që një kohë të fëmijërisë së parë e ka kaluar edhe ndër dajallarët e tij, te familja e madhe dhe e njohur e Qerim (Muriqi) Rugova, nga Llukafci i Begut, ka qenë i afërt dhe i ka respektuar të gjithë. Kurrë ai njeri me askënd nuk është ngucur, as si fëmijë, kurrë ai njeri nuk është kapur fytas me dikë, as me moshatarët e vet që i bënim ndonjë hile të vogël! Nuk është e vërtetë se ka qenë gjithmonë i mbyllur, si e mbyllen të tjerët kur ka filluar pas vitit 1989, të merret me politikën e madhe të shqiptarëve.

Përkundrazi, më kujtohet se ka pasur shumë dëshirë që të rri e të dëgjojë hallet e më të moshuarve, të cilët e donin dhe e respektonin më së shumti ndër të gjithë të tjerët. Më kujtohet si vinte në pushime verore e dimërore, por edhe në vdekje e dasma, kur qëndronte me neve gati edhe tërë natën, duke bërë edhe ndonjë shaka. Gazetarëve u kam thënë se edhe gjatë viteve ’90 unë i kam pasur dyert e hapura te Ibra. Gjithmonë. E vërteta është se kam qëndruar pak më anash ( kam pasur shumë arsye personale…) por nuk jam ndarë i tëri. Tash më vjen keq të them, por disa njerëz rreth tij e konsideronin Ibrën tonë si diçka që u takuaka vetëm atyre, ose partisë, unë kështu kurrë nuk i kisha kuptuar gjërat. Ai është problem i tyre, si u pa edhe më vonë, kur zunë të largoheshin një nga një! Por, ishte edhe rreziku nga pushteti serb, e dija se ata e përcillnin ditë e natë…Mirëpo, unë shkoja kur ma merrte mendja vetë se duhej të isha diku aty ku mbaheshin konferencat e shtypit, kur mbahej Kuvendi i Dytë i LDK-së në Shou, i Treti te Dora, kur e detyruan Ibrën të thërrasë e të mbajë Kuvendin themelues të Kosovës dhe kur erdhi policia serbe dhe e rrethoi selinë e LDK-së, konfiskoi materialet e asaj mbledhjeje, por shkoja edhe në Velani.

Në Cerrcë ka pasur një simpati të jashtëzakonshme për nënën e madhe të familjes, nën Fatime, të cilën serbët e kanë masakruar bashkë me shtatë bashkëfamiljarë të tjerë, më 13 prill të vitit 1999 në Kaliqan të Istogut. Ka pasur një simpati të jashtëzakonshme për axhën Bekë, vëllai i fundit i Rrustë Sadrisë, që vdiq në moshë të shtyrë nga mesi i viteve ’80. Në varrimin e në të pamën për Bekë Sadrinë kishin ardhur shumë miq e dashamirë. Më kujtohet Ibra erdhi i heshtur dhe kur shkoi, si është adet, e la një grusht para, shumë para për atë kohë! Deri vonë është përmendur gjesti i tij human. Humanizmin e vet ai e ka treguar edhe më herët. Kur ishim më të rinj, ai mua gjithë më ka dalë zot, si u ka dalë zot edhe rugovasve të tjerë që në fillim të viteve ’70 filluan të bënin fakultete e shkolla të mesme profesionale në Prishtinë. Këtë gjeneratë të re Ibra jo vetëm që i ndihmonte materialisht, por edhe u bënte konak, kur duhej dhe kur i zinte puna pisk në shehër.
Pjesa e njembedhjete Ibra, kryetar në një manifestim të “ Rilindjes”

Pastaj me Ibrën mbanim kontakte, pa politikë, gjatë viteve ’70 e ’80. Unë pastaj erdha me punë në redaksinë e gazetës “ Rilindja” në Prishtinë në verën e vitit ’78, një vit më vonë edhe me familje. Ibrës tashmë i kishin lindur dy djem, Mendimi e Uka (Teuta ka lindur pas të ’90-tave). Ishim gëzuar shumë për djemtë e Ibrës. Ai punonte në Institutin Albanologjik, ku i kishte shokët e punës e të idealit, afër ishte edhe Universiteti i Prishtinës. Por, më kujtohet mirë se një pjesë të madhe të kohës Ibra e kalonte në “ Rilindje”, në sektorin e botimit të librit letrar. Aty punonte Sabriu, Aliu, Antoni, Nazmi Rrahmani, që ndihmonte shumë botimin e librit në “Rilindje”. Ibra, si zakonisht, vinte i qetë e i heshtur si gjithmonë, me çantën e tij të madhe. Të themi me këtë rast se atëherë shtëpia botuese e gazetare “Rilindja” vërtet ishte çerdhe e botimeve në Kosovë. Aty botoheshin librat shkollorë, librat letrarë e shkencorë, botohej gazeta e vetme e përditshme, botoheshin revistat shqipe. Ibra ka pasur një bashkëpunim të përhershëm me “ Rilindjen”. Dhe, me gjasë, nuk e kishte harruar as kur e kishte marrë rrugën e politikës së madhe shqiptare, rrugën e bërjes së Kosovës shtet të pavarur e sovran, të integruar në BE e në NATO. Ishin ato vitet e rënda e të kthesës për Kosovën e shqiptarët. Ishin vitet e ngritjes së nacionalshovinizmit serb, në krye me Milosheviqin, kur Ibra doli në krye të LDK-së, që unë vazhdimisht e kam quajtur lëvizje për lirinë e Kosovës. Ishin ato vitet kur pushteti serb hoqi me dhunë autonominë e Kosovës, kur u shtyp me dhunë protesta e shqiptarëve, kur delegatët e Kuvendit të Kosovës shpallen Deklaratën e Pavarësisë më 2 Korrik 1990 e në shtator të atij viti shpallen edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës në Kaçanik.

Ishte edhe koha “ kur djemtë tanë shkuan në Amerikë…” dhe kur para plasjes së luftës në ish-Jugosllavi, LDK-ja kishte mobilizuar rreth vetes shumicën e shqiptarëve, e si thuhet edhe tash, kishte në radhët e veta mbi 700 mijë anëtarë.

Ibra erdhi, u tha se e kishte shkurtuar një qëndrim në Evropë, me qëllim të ardhjes në manifestimin e “ Rilindjes”

Dukej se po vinte koha e lirisë së shqiptarëve. Në manifestimin e “ Rilindjes” më 12 shkurt të vitit 1991, për shkak të ngjarjeve të bujshme që ndodhen në atë kohë, nga të cilat unë raportoja dhe komentoja për “ Rilindje” m’u nda çmimi i gazetarit më të mirë të kësaj gazete për vitin 1990. Sabri Hamitit iu nda shpërblimi i parë për veprën më të mirë të botuar në “Rilindje” gjatë vitit. Ishte pra për mua një çast gëzimit. Por, fillimi i ceremonisë ku merrnin pjesë shumica e intelektualëve eminentë të Kosovës dhe shumë njerëz të politikës, pak u vonua. Në interesimin tim më thanë se po e presin të vijë drejt e nga rruga, këtu, Ibrahim Rugovën. Ibra, si ma sqaruan, kishte shprehur dëshirën e tij që të jetë në këtë manifestim të shtëpisë ku deri më atëherë i kishte botuar shumicën e veprave të tij letrare, e shumë punime shkencore e eseistike. Ibra erdhi, bëmë edhe një foto të përbashkët me Rexhep Ismajlin, Sabri Hamitin e Kumrie Rugovën- Hamitin.

Nga ai manifestim Ibrën e nxorën nëpër do dyer të tërthorta të “Rilindjes”. Pastaj filluan ta ruanin nëpër zyra, kafene etj. E pashë se Ibrën e kishin marrë të tjerët…. Por, si e thashë edhe më herët, edhe në pyetjet e shumta të të afërmve, shokëve dhe miqve, në pyetjet e gazetarëve, unë vazhdimisht kam pohuar se Ibra kurrë nuk i ka humbur kontaktet me bashkëfamiljarët e vet këtu dhe në diasporë. Është çështje tjetër ana e protokollit, si kam thënë shumë herë se në selinë e LDK-së dhe në Velani, Ibra nuk ka hapur odë burrash për të hyrë e dalë kush të dojë! Para lufte, Adnan Merofci, më siguronte kontakte me Ibrën, sa herë kam dashur dhe sa herë që Ibra ka qenë pak më i lirë. Më siguronte edhe takime për të tjerët, kur ata më drejtoheshin mua për takime dhe për intervista. Edhe diçka për fund: për herë të fundit me Ibrën po ashtu patëm një gëzim të madh. Para dy vjetësh u përurua rruga e asfaltuar Istog-Vrellë, që kalon edhe nëpër vendlindjen tonë, Cerrcë. Ibra e bëri përurimin e saj. Në Vrellë u organizua një manifestim i madh popullor, edhe me këngë e valle. Vrellasit zemërgjerë shtruan gosti aty për Ibrën. Istogasit po ashtu shtruan gosti në motelin tashmë të njohur “Trofta”. Por kulmi i atij manifestimi ishte hyrja e Ibrës pas sa e sa vjetësh në oborrin e shtëpisë (e vjetra e rrënuar, e reja në vend të saj) ku kishte lindur më 2 dhjetor të vitit të rëndë 1944. Në atë oborr ishin mbledhur, me porosi, vetëm bashkëfamiljarët Rugova. Ibra, si gjithmonë i afërt nuk la kënd pa e përshëndetur dhe përqafuar. Bëmë edhe shumë foto të përbashkëta (dikush nga shërbimi i tij teknik kurrë nuk na i ka kthyer ato!). “Jo, jo, tha në shaka Ibra, nuk është se vij këtu për herë të parë pas lufte, mbi këtë lagje pas lufte shpesh kam kaluar me helikopter të KFOR-it, e kam parë se si po ngrihen shtëpitë e reja”. Dolëm edhe oborreve të tjera. Unë vërtet nuk e dija gjendjen e tij shëndetësore. E pashë se ishte i rraskapitur, i lodhur, e mbaja për krahu! Edhe në oborrin e Imerajve me Sanijen bëri një shaka: i tha ku është fiku që ka qenë aty, ai fiku i moçëm. I thanë se nuk është më. Ibra tha: po rrënjët i kanë mbetur!

Të ngjashme