Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi ka ngritur shqetësimin për buxhetin e komunave për vitin 2027, duke theksuar se, ndonëse shuma totale rritet në 908 milionë euro, pjesëmarrja e komunave në buxhetin e përgjithshëm bie nga 21.7% në 21.3%.
Sipas tij, inflacioni, rritja e pagave dhe detyrimet nga kontratat kolektive do të zvogëlojnë edhe më tej mundësitë financiare të komunave për investime, mirëmbajtje dhe shërbime ndaj qytetarëve.
Ai vlerëson se rritja nominale e buxhetit nuk nënkupton domosdoshmërisht më shumë fuqi financiare për komunat.
E plotë:
Buxheti i komunave rritet nga 867.6 milionë euro më 2026 në 908 milionë euro më 2027, ose vetëm 4.66%. Por pjesëmarrja e komunave në buxhetin e përgjithshëm bie nga rreth 21.7% në vitin 2026 në 21.3% në vitin 2027. Pra, komunave u ndahet një pjesë më e vogël e buxhetit të shtetit.
Nëse inflacioni vazhdon në nivelin e njejtë si gjatë këtyre muajve të fundit dhe rritja e koeficientit të pagave nga korriku mbulohet brenda kësaj shume, përllogaritja orientuese tregon se fuqia reale blerëse e mjeteve jashtë pagave bie nga rreth 445.6 milionë euro më 2026 në 433 milionë euro më 2027. Kjo nënkupton rreth 12.6 milionë euro, ose 2.8%, më pak mundësi reale për investime, mirëmbajtje dhe shërbime.
Këtij presioni i shtohen detyrimet nga kontratat kolektive. Sipas të dhënave të AKK-së, vetëm gjatë vitit 2026 komunave u janë marrë rreth 100 milionë euro përmes ekzekutimit të vendimeve gjyqësore. Vazhdimi i këtyre tërheqjeve edhe më 2027 do ta ngushtonte më tej hapësirën për investime.
Komunat kanë nevojë për më shumë fuqi financiare për t’u shërbyer qytetarëve. Shifrat rekord në letër nuk e kompensojnë zvogëlimin e pjesëmarrjes në buxhet dhe humbjen e fuqisë blerëse.