Komunat e prekura nga vërshimet e janarit nuk janë kompensuar ende, ka bërë të ditur për Ekonomia Online Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
Dëmet në komunat Skenderaj, Mitrovicë, Klinë e Istog kapin vlerën e disa dhjetëra miliona eurove.
Në këto komuna janë krijuar komisione për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga vërshimet, por që sipas Ibrahimit po kontestohen nga niveli qendror.
Me këtë rast, Ibrahimi ka kërkuar të krijohet Fondi Emergjent për komunat, në mënyrë që qytetarët e prekur nga fatkeqësitë natyrore të kompensohen më shpejt.
“Unë javën e kaluar kam qenë në koordinim me kryetarë të komunave sa i përket çështjeve që janë në interes të autoriteteve lokale të Kosovës dhe në bazë të informatave që posedojmë ne si AKK nga kryetarët e komunave të prekura nga vërshimet e janarit, ende nuk ka filluar kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga vërshimet. Më duhet të theksoj se komunat me kapacitetet e tyre financiare i kanë përkrahur qytetarët të cilët kanë qenë të prekur nga vërshimet por shpresojmë që niveli qendror duhet ta ngrisë gatishmërinë sa i përket bashkëpunimin me nivelin lokal rreth këtyre problemeve”, thotë Ibrahimi.
“Janë fenomene natyrore të cilat nuk mund t’i ndalë as niveli lokal dhe po shpresojmë në një të ardhme të afërt niveli qendror do ta ngrisë vetëdijen dhe do ta themelojë nj Fond Emergjent për nivel lokal, ku qytetarët mund të përfitojnë nga dora e shteti sa më shpejt që është e mundur. Duhet theksoj se komunat i kanë kryer të gjitha obligimet dalin nga legjislacioni në fuqi, sa i përket dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe janë deponuar në nivelin qendror dhe sipas informacioneve, kompensimi nuk është kryer”, u shpreh tutje Ibrahimi.
Drejtori i AKK-së i konsideron si të paarsyeshme kontestimet e nivelit qendror vlerësimet e komisioneve vlerësuese nga komunat.
“Legjislacioni në fuqi kërkon lloj hapash. Pra në fillim komunat i themelojnë komisionet vlerësuese të dëmeve, pastaj ato rishikohen edhe një herë në nivel lokal, pastaj dërgohen në Kuvend Komunal për shqyrtim, analizim dhe aprovim dhe ne po besojmë se Kuvendi Komunal si organi vendimmarrës në nivel lokal merr vendim se ato janë dëmet, atëherë nuk e di pse niveli qendror mund t’i kontestojë ose të shkojë edhe një herë në terren dhe t’i kontrollojë se a janë në rregull. Pra kjo është ajo burokracia”, u shpreh Ibrahimi.
Ibrahimi ka ankesa edhe sa i përket komunikimit të komunave me nivelin qendror. Theks të veçantë i jep ankesave të komunave sa i përket Projektligjit të Tatimit në Pronë.
“Bashkëpunimi me nivelin qendror përveç takimeve që e kemi pas me kryeministrin ku i kemi ngrit një varg çështjes, kanë qenë mbi 10 tema të cilat janë ngritur nga kryetari i Asociacioni i Komunave dhe i përkrahur nga të gjithë kryetarët. Ka pasur shumë kërkesa dhe kërkesat janë objektive sepse ato kërkesa vijnë nga interesat e qytetarëve”, u shpreh Ibrahimi, teksa shton se pas këtij takimi nuk ka pasur komunikim më me Qeverinë.
Teksa ka folur për miratimin në lexim të parë të Projektligjit për Tatimin në Pronë, Ibrahimi e konsideron absurde moskonsultimin me hisedarët kryesor të këtij ligji.
“Nuk ka pasur komunikim sa i përket Projektligjit për Tatimin në Pronë, i cili ministri Hekuran Murati ka theksuar se ai Projektligj është hartuar nga një grup teknik, pa konsulta me askënd. Është sinqerisht për keqardhje që hisedarët kryesorë të këtij ligji që janë komunat, nuk janë konsultuar. Pra kjo ndodh për herë të parë, gjithmonë komunat janë konsultuar dhe ky projektligj ka kaluar në lexim të parë në Kuvend, neve duam të besojmë se ky ligj do të kthehet mbrapa në Qeveri sepse duhet të konsultohen komunat”, thotë ai.