Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se është shqetësuese ndërhyrja e nivelit qendror në punët e nivelit lokal. Ai ka thënë se Kuvendi komunal ka kompetencë ekzekutive për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale, ndërsa kryetari i Komunës mundet vetëm të nisë procedurat përkatëse, raporton Ekonomia Online.
Për pronat komunale, Ibrahimi thotë se MAPL mundet vetëm t’i shqyrtojë vendimet por jo të ndërhyjë në to. Për këtë, Ibrahimi kërkon me ngulm që niveli qendror t’i mbajë duart larg vendimeve të komunave.
Ai thekson se vendimi final për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim merret nga kuvendi komunal, ndërsa kryetari i komunës e ka në kompetencë vetëm fillimin e procedurave.
“Kompetencë ekskluzive e komunave është për t’ia dhënë pronën e vetë në shfrytëzim një operatori ekonomik. Gjithashtu, ligji për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim, neni 6, e saktëson se në çfarë mënyre dhe kohëzgjatjen e dhënies së pronës komunale në shfrytëzim. Duhet theksuar që çdo pronë komunale jepet me pëlqimin apo vendimin e anëtarëve të kuvendeve komunale. Domethënë kryetari e ka kompetencë vetëm fillimin e procedurave për inicim, e pastaj vendimin final e merr kuvendi komunal. Pra, kuvendi komunal është organi i cili mund ta japë pronën komunale në shfrytëzim”, ka thënë ai për EO.
Ibrahimi për EO tha se në shumicën e rasteve kryetarët e komunave ankohen se niveli qendror nuk po i kryen në kohë vendimet që duhet të shqyrtohen nga ministritë e ndryshme drejtuar nivelit lokal.
Sa i përket pronave komunale, ai thotë se MAPL nuk ka të drejtë të ndërhyjë në vendime të komunave.
“Sipas analizave tona po edhe të nivelit qendror del që mbi 95 për qind të vendimeve të kuvendeve komunale kur shkojnë për shqyrtim të ligjshmërisë në nivelin lokal janë në rregull. Është një përqindje jashtëzakonisht e vogël e vendimeve të cilat kthehen nga niveli qendror. Është aty kohëzgjatja se për çfarë kohe duhet të kthehet vendimi nga niveli qendror, në shumicën e rasteve kryetarët e komunave ankohen që niveli qendror nuk i kthen në afatin ligjor vendimet të cilat duhet të shqyrtohen nga ministritë apo dikasteret e ndryshme kundruall nivelit lokal. Te çështja e pronës komunale, me ligjin mbi dhënien e pronës komunale është në mënyrë decidive e saktësuar që ligjshmërinë e vendimit e shqyrton Ministria e Pushtetit Lokal por jo të ndërhyj në vendim”.
“Në muajt e fundit jemi dëshmitar të kohës që po ka kësi lloj shkresash, kërkesash nga niveli qendror e të cilat kërkesa, shkresa në rastin e fundit Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar që janë shkelje në autonominë lokale apo shkelje në kompetencat e komunave. Apo tejkalim i kompetencave nga niveli qendror kundruall nivelit lokal. Asociacioni i Komunave të Kosovës, gjithnjë ka qenë i hapur për bashkëpunim të ndërsjellë në mes të nivelit qendror dhe nivelit lokal në mënyrë që qytetarët të përfitojnë”.
Ibrahimi ka folur edhe për rikthimin e festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë, për të cilin thotë se ka përfitime të mëdha për kryeqytetin. Duke cituar fjalët e kryetarit Rama, tha se Prishtina mund të përfitojë nga ky festival deri në 15 milionë euro.
Ai thotë se është për tu habitur se si disa ministra shkelin në kompetencat e komunave dhe thekson se janë edhe ligjet të cilat nuk e lejojnë ndërhyrjen e nivelit qendror.
“Në këtë rast Kryetari Rama ka deklaruar që përfitimet nga mbajtja e një festivali të tillë do të ishin 13-15 milionë euro që për një komunë të Kosovës këto mjete financiare janë jashtëzakonisht të larta. Është bërë mirë që për shkak bashkëpunimit të vonshëm u rregullua situata sa i përket festivalit. Mirëpo në përgjithësi ne habitemi se si Asociacioni i Komunave të Kosovës se si disa ministra e marrin guximin me vetëdije apo vetëdije të shkelin në kompetencat e autoriteteve lokale. E kemi ligjin mbi vetëqeverisje lokale ku është në nenin 17 për kompetencat vetanake. Janë edhe ligjet e tjera sektoriale të cilat nuk lejojnë ndërhyrjen e nivelit qëndror në nivelin lokal sepse është ligji mbi vetëqeverisje lokale. Ne kërkojmë me ngul që niveli qendror ti largoj duart sa më larg autonomisë lokale sepse ekziston edhe karta evropiane mbi vetëqeverisje lokale e cila i saktëson pushtetin, funksionimin e pushtetit lokale”, tha ai.
Ai thekson se ndarja e kompetencave duhet të respektohet dhe të mos ketë ndërhyrje nga niveli qendror.
“Kompetencat janë të qarta si loti, të pastërta si loti sa i përket dhënies së pronës komunale në shfrytëzim. Komuna dhe vetëm komuna është institucioni i cili e jep pronën e vetë komunale në shfrytëzim përmes mekanizmave të cilat i ka të ndërtuar dhe përmes kuvendit komunale. Duhet të dallohet se kryetari nuk merr vendim për dhënien e pronës komunale por është kuvendi komunal. Për këtë arsye, kjo ndarje e kompetencave duhet të respektohet dhe mos të ketë ndërhyrje nga niveli qendror në kompetencat e nivelit lokale”, u shpreh ai.