Njohësi i zhvillimeve politike, Ilir Ibrahimi, i ka komentuar ngjarjes e zhvilluara në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku mbështetës të presidentit Donald Trump janë futur brenda hapësirave të Kongresit për ta penguar procesin e certifikimit të votave të Kolegjit Zgjedhor nga ana e ligjvënësve amerikanë.
Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka thënë se në këtë rast edhe zyrtarë të administratës Trump janë angazhuar për ta qetësuar situatën.
Sipas tij, dje shteti është udhëhequr nga zëvendëspresidenti Mike Pence dhe jo nga Donald Trump.
“Ka qenë një ngjarje shokuese për secilin qytetar të botës së lirë e aq më tepër për amerikanët. Kjo është hera e parë që shohim skena të tilla në një prej shteteve më demokratike të botës”.
“Të shohësh skena të tilla në kryeqytetin e botës është trishtuese. Kur i shihja ato skena kam qenë i pikëlluar për qytetin që e kam quajtur shtëpi të dytë”.
“Nëse shohim se çfarë ka ndodhur në politikën botërore në 4-5 vjetët e fundit – kjo edhe është dashur të pritet sepse me populizmin e shtuar nxiten masat dhe kjo ndodhi dje në Uashington, por fatmirësisht demokracie amerikane fitoi”.
Ibrahimi ka thënë se mekanizmat e sigurisë në SHBA u vunë në funksion menjëherë dhe situata e krijuar u fut nën kontroll brenda pak kohësh.
“Tani më të gjitha strukturat e sigurisë janë në këmbë. Është e vërtetë se ka pasur një dështim të sigurisë sepse Uashingtoni njihet si një prej qyteteve që ka më së shumti siguri. Unë u çudita se si kanë mundur të futen aty”.
“Unë nuk besoj se do të ketë përsëritje të tilla, ne kemi parë mbrëmë që edhe zyrtarë të administratës Trump janë angazhuar menjëherë duke anashkaluar vet atë. Pra dje shteti është udhëhequr nga zëvendëspresidenti Mike Pence dhe jo nga Donald Trump”.
“Ka pasur zëra që mund të aktivizohet amendamenti 25 – ka pasur diskutime të tilla, por unë mendoj se udhëheqësit amerikanë mendojnë pak më larg sepse Trump ka fituar rreth 70 milionë vota në këto zgjedhje”.