Ylli i gjigantit italian, Milanit, Zlatan Ibrahimoviq, mund të kthehet te Përfaqësuesja e Suedisë për ndeshjet kualifikuese të kampionatit botëror “Katari 2022”.
Mundësinë e kthimit të Ibrahimoviqit te Suedia nuk e ka përjashtuar as përzgjedhësi suedez Janne Andersson.
Ai në një intervistë dhënë të mërkurën për “Expressen” ka theksuar se më 16 mars do të marrë një përgjigje përfundimtare nga Ibrahimoviqi. Suedia ndeshjen e parë në eliminatoret e Botërorit të vitit të ardhshëm e luan ndaj Gjeorgjisë më 25 mars në shtëpi, kurse tri ditë më vonë do të përballet me Kosovën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
Në fakt, spekulimet se Ibrahimoviq mund të kthehet sërish te përfaqësuesja suedeze kanë nisur që prej muajit nëntor të vitit të kaluar, kur 39-vjeçari pati shprehur dëshirën për një kthim të mundshëm të tij. Ibrahimoviq në verën e vitit 2016 është tërhequr nga Suedia pas eliminimit në “Euro 2016”.
“Nëse më mungon Suedia? Sigurisht. Unë ende nuk e kam përfunduar karrierën”, pati thënë më herët Ibrahimoviq.
Përgjigjen nëse Ibra do të kthehet pas gati pesë vjetësh te Suedia, Andersson do ta zbulojë disa ditë para se të luhet ndeshja e parë kualifikuese për botërorin e Katarit.
“Ne kemi pasur një bisedë të mirë, dialogu vazhdon, dhe më 16 mars do të zbulojmë vendimin e tij përfundimtar. Nëse Ibrahimoviq nuk do të donte të na bashkohej, tashmë do ta kishit ditur”, ka thënë Andersson për “Expressen”.
Andersson ka shtuar se në lidhje me pyetjet rreth Ibrahimoviqit ka qenë goxha i hapur me mediat, ndonëse është kritikuar se nuk ka qenë i qartë rreth mundësisë së kthimit të tij te Suedia.
“Zlatani nuk është përfshirë për gati pesë vjet te Suedia, kështu që kemi të bëjmë me një situatë të qartë. Ne kemi një rast të ngjashëm edhe me kapitenin Andreas Granqvist dhe ai nëse është i shëndosh, do të jetë me ne. Së shpejti do ta mësojmë edhe vendimin e Zlatanit, që është shumë i rëndësishëm”, tha Andersson.
Edhe menaxheri për media i përfaqësueses së Suedisë, Jakob Kakembo Andersson, ka theksuar se më 16 mars do të merret vesh nëse Ibra do të jetë pjesë e Suedisë. Nëse Ibra kthehet, atëherë ai do të jetë pjesë e Suedisë edhe për “Euro 2020”, që është shtyrë për këtë vit shkaku i përhapjes së pandemisë.
“Në atë datë është mbledhja e radhës e ekipit përfaqësues. Atëherë pyetja është shumë e rëndësishme për shkak të interesimit të mediave për Ibran. Më shumë nuk mund të them se kaq”, u shpreh menaxheri Andersson.
Ibrahimoviq për Suedinë i ka luajtur 116 ndeshje dhe ka shënuar 62 gola. Me Suedinë ka marrë pjesë edhe në kampionatin evropian e po ashtu edhe botëror. Ibra në këtë edicion po kalon një formë fantastike me fanellën e Milanit. Ai ka shënuar 16 gola dhe ka bërë dy asistime në 19 paraqitje në të gjitha garat. Suedia e Kosova janë në Grupin B kualifikues së bashku edhe me Gjeorgjinë, Spanjën dhe Greqinë. Kosova pas ndeshjes me Suedinë do të udhëtojë drejt Spanjës për ta luajtur duelin e dytë eliminator. Para dy ndeshjeve kualifikuese, “Dardanët” luajnë miqësore kundër Lituanisë në Prishtinë më 24 mars