Mbledhja e sa më shumë fondeve për fëmijët e sëmurë dhe jetimë ka bërë bashkë më shumë se 40 boksierë nga vende të ndryshme të rajonit. Ata do të garojnë në boks, kickboks dhe në MMA.
International Charity Fights është ngjarja që i ka bashkuar këta sportistë, i cila do të mbahet nesër në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Organizatori i këtij eventi është kampioni i katërfishtë i botës, Mustaf Kicaj së bashku me menaxherin Evren Dalipi.
Mustaf Kicaj tha se është falënderues për të gjithë ata që kanë ndihmuar në organizmin e kësaj mbrëmje bamirëse. Ai bën apel që sa më shumë persona dhe afaristë të ndihmojnë këtë mbrëmje pasi të gjitha të hollat e akumuluara do të shkojnë në ndihmë fëmijëve të sëmurë dhe atyre jetimë.
Edhe menaxheri Evren Dalipi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit sidomos boksierët që kanë ardhur nga vende të ndryshme vetëm për të ndihmuar këtë kauzë.
Pjesë e kësaj mbrëmje bamirëse është edhe boksieri Senad Gashi. Ai për mbrëmjen e nesërme shpreson që të zhvilloj një meç të mirë dhe të shënoi fitore.
Nga Gjermania për këtë mbrëmje ka ardhur edhe Frank Kortz, i cili gjithashtu shpreson që publikut kosovar t`i ofrojë një meç interesant.
Meçet do të fillojnë në ora 16:00 dhe do të zgjasin deri në ora 24:00. Ndërsa hapja e dyerve për publikun do të bëhet me fillim nga ora 15:00.
Çmimet e biletave variojnë nga 2 euro deri në 40 euro kurse shitja e tyre do të fillojë që nga ora 08:00.