ICK lanson Fondin e Inovacionit, ftohen bizneset të aplikojnë

Prishtinë | 25 Tet 2018 | 16:26 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në ambientet e Innovation Centre Kosovo (ICK) është nënshkruar marrëveshja në mes të kësaj qendre dhe GIZ – CETEP (Krijimi i punësimit përmes promovimit të eksportit), për programin “Zhvillimi i Ndërmarrësisë dhe Punësueshmëria e të rinjve në Kosovë” si dhe u bë lansimi i Fondit për Inovacion (financim i GIZ-it dhe Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë), i cili do të ofrojë grante me bashkëfinancim deri në 50,000 euro për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të sektorit të TIK-ut, Agrobiznesit dhe Prodhimit.

Fondi për inovacion ka për synim mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në zhvillimin e koncepteve inovative, nëpërmjet përmirësimit të produkteve, shërbimeve apo proceseve, me qëllim të rritjes së potencialit dhe përgatitjes së ndërmarrjeve për qasje në tregjet ndërkombëtare. Ky fond, i cili u përkushtohet posaçërisht NMVM-ve, planifikohet të ndërhyjë në katër fusha bazë: informacion i bazuar në biznes, shërbime, inovacion në produkte e shërbime, si dhe promovim të eksportit.

Uranik Begu nga ICK tha se përmes këtij granti, bizneset do të kenë mundësi të sjellin produkte më inovative dhe ta rritin tregun duke gjeneruar edhe vende të reja të punës.

“Po du me nda një lajm të mirë për bizneset. Kemi lansu sot një grant. Është një program i kompozuar që sjell në treg ide të reja. GIZ-i ka qenë një partner i mirë për ICK-në dhe marrëdhënia me ta është e qëndrueshme dhe ka sjellë ide të mira. Ne kemi nënshkruar sot një marrëveshje për fondin e inovacionit”, tha Begu për Ekonomia Online.

“Kjo është një marrëveshje me Ministrinë e Inovacionit, GIZ-in dhe ICK-në. Kjo ndihmon ndërmarrjet që të sjellin në treg produkte inovative, iu ndihmon me rritë punësimin. Ky ka me qenë instrument i mirë me thithë fonde nga jashtë. Projekti GIZ është ai që e mbështet fondin kurse ICK do të jetë implementuese e skemës. Objektivat e fondit janë për me tërheqë ide inovative me potencial në eksport dhe punësim, për m’i përmirësu shërbimet ekzistuese. Janë tri fusha që do të veprohet, janë: teknologjia e informacionit, agroteknologjia dhe fusha e prodhimit. Këtu nuk është vetëm ndihma financiare, por jemi duke biseduar që ta shtojmë edhe ndihmën për konsulencë”.

Anja Becky, udhëheqëse e zyrës Gjermane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë, tha se i mbështesin idetë inovative, derisa theksoi se presin aplikime nga bizneset.

“Është kënaqësi me mbështetë inovacionin dhe idetë inovative në secilin sektor në Kosovë. Është mirë që t’i bashkojmë forcat dhe të krijojmë energji të reja. Jemi të gëzuar që GIZ-i mund të mbështesë këtë projekt,” tha Becky.

“Inovacioni është një promotor i rëndësishëm i zhvillimit socio-ekonomik në Kosovë dhe botë. Për këtë arsye, Qeveria e Gjermanisë është shumë e lumtur me përkrahjen e Fondit për Inovacion, i cili pa dyshim që do ta ndihmojë tranzicionin e ekonomisë së bazuar në njohuri, në Kosovë”, shtoi Becky.

Ottilie Mooshofer, udhëheqëse e ekipit të GIZ-it,  tha se inkurajon bizneset e vogla dhe të mesme që të aplikojnë në mënyrë që të jenë përfitues të grantit, shkruan EO.

“Është kënaqësi të jem sot këtu. Dua t’i inkurajoj të gjithë sektorin privat që të aplikojë në mënyrë që ta fitojnë këtë grant. Jemi duke shikuar aplikimet që janë duke ardhur bizneset që aplikojnë dhe të rinjtë me ide inovative”, tha Mooshofer.

“Me Fondin për Inovacion, sektori privat në Kosovë merr edhe një instrument të ri të përkrahjes me qëllim të zhvillimit të inovacionit në produkte, shërbime dhe krijim të vendeve të reja të punës”, tha ajo.

Më 12 nëntor hapet thirrja publike, thirrja do të jetë e hapur tri javë. Programi “Zhvillimi i Ndërmarrësisë dhe Punësueshmëria e të rinjëve në Kosovë” ka vlerë 1.4 milion euro. Ky program bashkëfinancohet edhe nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë.

Për t’u kualifikuar si përfitues potencial, bizneset duhet të jenë të regjistruara në Kosovë, të jenë në kategorinë e NMVM-ve (sipas definimit në bazë të ligjeve të aplikueshme në Kosovë), të jenë minimum 3 vite aktive në fushën e caktuar, të jenë pagues të rregullt të taksave, të mos jenë subjekt i procesit të bankrotimit dhe/apo gjykatave, pronari/pronarët e NMVM-ve nuk duhet të jenë persona të dënuar për vepra penale dhe krim të organizuar, të provojnë potencial për eksport, mundësi për rritje të numrit të punëtorëve, si dhe të mos jenë përfitues paraprak të granteve nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë e Republikës së Kosovës.

 

Image may contain: 2 people, people smiling, people standing and screen

Image may contain: 2 people

Image may contain: 2 people, people standing

Të ngjashme