Shala nga PDK-ja thotë se Ministria e Inovacionit duhet të kthehet

Prishtinë | 28 Jan 2021 | 11:31 | Nga Ekonomia Online

Muzafer Shala, ish-ministër i Inovacionit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka thënë se në momentin kur të formohet qeveria e re duhet të kthehet Ministria e Inovacionit si dhe Teknologjia e Informacionit duhet të futet në programin arsimor që nga klasa e parë.

Kështu tha Shala në diskutimin mbi digjitalizimin dhe inovacionin në vend të organizuar nga Qendra Kosovare e Inovacionit, media online Telegrafi.com dhe Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK).

Shala tha se nuk e dinë arsyen se pse Qeveria Kurti e ka shuar këtë ministri, e cila sipas tij ka një rëndësi të rëndësishme.

“Nuk mund ta shikojmë inovacionin vetëm në fushën e informacionit por edhe në sferën tjetër. Duhet të vendosim ta kategorizojmë Kosovën se në cilin nivel është dhe sa janë mundësitë e Kosovës për me bo inovacion dhe të përcaktojmë mekanizmat e saj, si dhe llojet e burimeve për inovacion dhe kush do të përfshihet saktë”, ka thënë ai.

Shala nga PDK theksoi se në kohën e Ministrisë së Inovacionit pengesë kryesore për realizimin e projekteve nga kjo fushë ka qenë baza ligjore.

“Në momentin që të krijohet qeveria e re duhet të kthehet Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Ka qenë një prej ministrive shumë të rëndësishme në atë kohë. Nuk e dimë pse nuk është më. Ka qenë një vendim i qëlluar që është krijuar kjo ministri, e nuk e dimë arsyen pse është shuar kjo nga qeveria Kurti”, u shpreh Shala.

Sipas tij, në plan programin e PDK-së është edhe futja e Teknologjisë së Informacionit edhe për nxënësit duke filluar nga klasa e parë.

“Nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e 12-të, në 12 vitet e ardhshme do të vijën në tregun e punës dhe si e tillë teknologjia e informacionit duhet të futet në plan programin e arsimit. Duke pas parasysh që e kemi këtë numër të nxënësve, 330 mijë, Kosova e ka një pozicion shumë të mirë që mund t’i lidh shtetet e rajonit me kompanitë e huaja. Teknologjia e informacionit duhet të përfshihet nga klasa e parë ose parashkollor, dhe natyrisht që kjo duhet të jetë pjesë e programeve. Kjo është pjesë e plan programit të PDK-së”, ka thënë ndër të tjera Shala.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme