Identifikohet personi që gjuajti me armë Policinë në Vlorë, i sekuestrohet edhe vetura

Prishtinë | 03 Sht 2022 | 10:50 | Nga Ekonomia Online

Është identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i dyshuar i cili të premten në mbrëmje qëlloi me armë zjarri, për motive të dobëta, në drejtim të një automjeti me të cilin udhëtonin dy punonjës policie.

Policia e shtetit po ashtu njofton se është sekuestruar automjeti i autorit të dyshuar të ngjarjes.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në DVP Vlorë, në vijim të punës për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen ‘Partizani’, ku një shtetas qëlloi me armë zjarri nga një automjet tip ‘Volkswagen’, në drejtim të një automjeti ‘Audi’, më të cilin udhëtonin dy punonjës policie, jashtë shërbimit, bënë identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit: D. H. alias T. H. alias D. H., 37 vjeç, banues në Vlorë”, thuhet në njoftim.

Ky shtetas, rreth orës 19:40 të së premtes, duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen”, dyshohet se për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Audi”, me të cilin udhëtonin shtetasit A. B., 25 vjeç, me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë dhe N. M., 27 vjeç, me detyrë punonjës i Policisë Kufitare Sarandë, të cilët nuk kanë pësuar dëmtime.

Gjatë krehjes së zonës, shërbimet e Policisë gjetën të braktisur, në lagjen “Partizani”, Vlorë, automjetin e autorit të dyshuar të ngjarjes. Vijon puna për kapjen e tij dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”.

Të ngjashme