Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka konfirmuar se edhe atij i është anuluar vizita e planifikuar ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë..
Idrizi ka thënë për Kanal 10 se vizita është anuluar pa asnjë arsyetim dhe këtë ai e sheh si padrejtësi dhe shkelje e të drejtave të njeriut.
“Sot kam pranuar një email në orën 10:00 të mëngjesit ku më është anuluar vizita në Hagë, me datën 21 nëntor kam pasur ta vizitojë ish presidentin Thaçi. Pas refuzimit të vizitës ju kam dërguar një email për të më treguar arsyet e anulimit të vizitës, ndërsa përgjigjja e tyre ishe se nuk mundet të caktohet një vizitë tjetër, ndërsa sa i përket anulimit të kësaj vizite unë personalisht e shoh si shkelje e të drejtave të njeriut sepse ku do në botë nuk ndodh të anulohen vizitat e planifikuara”, tha Idrizi.
E paprecedent: Familjarëve të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, pa asnjë sqarim iu anuluan vizitat
Edhe pse i kishin të konfirmuara vizitat nga Njësia e Paraburgimit e Gjykatës Speciale, shumë familjarëve dhe miqve të krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, sot ato u janë anuluar pa asnjë arsyetim nga ana e administratës së Qendrës së Paraburgimit, raporton Kanal10.
Me dhjetra persona që këto ditë kishin vizita të konfirmuara në Hagë, të cilët kanë bërë shpenzime me blerjen e biletave të fluturimit dhe rezervimet e vendqëndrimeve në Hagë, sot në mënyrën më të papërgjegjshme janë njoftuar nga Dhomat e Specializuara me vetëm një fjali: ‘’Me keqardhje ju informojmë se vizita juaj është anuluar’’.
Kanal 10 ka mësuar se vizitat u janë anuluar edhe familjarëve të ngushtë të ish-krerëve të UÇK-së, që kishin shkuar tashmë në Hagë, pa ua dhënë asnjë sqarim atyre.
Ndërkohë, Parim i Përgjithshëm i Udhëzuesit të Punës për ‘’Vizitat dhe komunikimet’’ të Gjykatës Speciale, të paktën në dokumentet e shkruara të tyre, thuhet se është mundësimi i ruajtjes së marrëdhënieve personale me anëtarë të familjes dhe persona të tjerë nëpërmjet vizitave, thirrjeve telefonike dhe letërkëmbimit.
Po ashtu, siç nuk ndodh askund në botë, shumë përkrahësve të ish-krerëve të UÇK-së që thjeshtë dëshirojnë të shkojnë për t’i takuar dhe vizituar ata në Qendrën e Paraburgimit, kohëve të fundit po iu refuzohen aplikacionet me arsye banale, kinse në formularët e tyre nuk kanë arritur ta dëshmojnë afërsinë, pa u pyetur fare të paraburgosurit nëse duan apo jo t’i pranojnë si vizitorë.
Përkundër që procesi gjyqësor po zvarritet tejmase shumë, në Kosovë është rritur agresiviteti i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me bastisje dhe sekuestrime telefonash.
Deri më tani nga trupi gjykues janë dëgjuar vetëm 37-të dëshmitarë, ndërkohë që ish-krerët e UÇK-së i kanë bërë këtë muaj tri vjet qëndrim në paraburgim.