Idrizi: Bashkë do ta bëjmë Mitrovicën qytetin që e duam

Mitrovicë | 27 Gus 2017 | 21:27 | Nga

Kandidatja për kryetare të Komunës së Mitrovicës, Valdete Idrizi, thotë se pas një rrugëtimi të gjatë si pjesë e shoqërisë civile; mbas shumë vitesh përpjekje dhe punë për të mirën e Kosovës, e posaçërisht Mitrovicës, ka vendosur t’i përkushtohet tërësisht dhe më ndryshe në shërbim të qytetit!

Idrizi, aktiviste e njohur e shoqërisë civile, thotë se iu bashkua Partisë Demokratike të Kosovës dhe hyri në garë për menaxhim më të mirë të qytetin e Mitrovicës. “Bashkë do ta bëjmë Mitrovicën, qytetin që kemi dashtë përherë! Të zhvilluar e të fortë, ashtu siç e meritojmë!” ka shkruar mes tjera Idrizi në një postim në faqen e saj në Facebook.

“Kjo sfidë e re është obligim për mua, edhe si bijë Minatori!”

Postimi i plotë:

Të nderuar miq,

Pas një rrugëtimi të gjatë si pjesë e shoqërisë civile; mbas shumë vitesh përpjekje dhe punë për të mirën e Kosovës, e posaçërisht Mitrovicës, vendosa të përkushtohem tërësisht dhe më ndryshe në shërbim të qytetit!

Pra, me vullnet të plotë, me përkrahje të madhe të bashkëqytetarëve si dhe mbështetje të pakursyer të Partisë Demokratike të Kosovës, kam hyrë në garë për menaxhim më të mirë të qytetit tonë!

Kjo sfidë e re është obligim për mua, edhe si bijë Minatori! Ky hap sa i madh aq i rëndësishëm vjen prej dashurisë së pakrahasueshme që kam për Mitrovicën dhe qytetarët e saj!

Oferta ime për qytetin do të jetë vazhdimësi e angazhimit tim duke u mbështetur në parimet e larta: respektin, integritetin, profesionalizmin, mirëkuptimin dhe vullnetin për të shërbyer denjësisht.

Në këtë nismë të re, i detyrohem shumë në radhë të parë bashkëshortit tim, familjes time të ngushtë dhe të gjerë për përkrahjen e jashtëzakonshme

Jam mirënjohëse për mbeshtetjen tejet të madhe të bashkëqytetarëve, kolegëve, miqve e dashamirësve, që së bashku me ta kemi pasur një udhëtim të gjatë e të mbarë, ku mbi parimet e lartpërmendura kemi jetësuar programe; kemi finalizuar suksesshëm punë e projekte duke i dhënë zemër dhe shpirt qytetit tonë.

Po ashtu, jam shumë mirënjohëse për besimin dhe përkrahjen që më dhanë të gjitha strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës, Qendra e Mitrovicës!

Besimi dhe përkrahja e parezervë e tyre, ma ka shtu kurajon, fuqinë dhe besimin për ta qeverisë Mitrovicën në katër vitet e ardhshme, ku me një qeverisje që ka qytetarin në epiqendër, do të kthehet dinjiteti dhe krenaria e Mitrovicasve.

Sot e mot, përunjësisht mirënjohëse për urimet, fjalët e bukura, këshillat, sugjerimet dhe kritikat tuaja!

Bashkë do ta bëjmë Mitrovicën, qytetin që kemi dashtë përherë! Të zhvilluar e të fortë, ashtu siç e meritojmë!!!

Miq,
Na priftë e mbara!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme