Idrizi: Kur okupatori serb i mbylli shkollat, familja Mernica hapi dyert e 4 shtëpive për nxënësit

Vushtrri | 07 Mar 2023 | 10:59 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Vushtrrisë ka inauguruar pllakë mirënjohëse për familjen Mernica, e cila kur Serbia mbylli shkollat shqip, hapën dyert e katër shtëpive për nxënësit, duke mbajtur gjallë arsimin shqip në një periudhë të vështirë, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se kur serbët i mbyllën shkollat, familjet si Mernica i hapën shtëpitë e tyre. Në gjithë komunën janë rreth 80 familje që bënë një akt sa zemërgjerë aq dhe patriotik, duke rrezikuar edhe reperkusione nga pushteti i atëhershëm.

“Jam sot shumë krenar që gjendem në mesin e juaj për të zbuluar këtë pllakë të rezistencës së arsimit shqip në një periudhë jashtëzakonisht të vështirë. Pra kjo periudhë kohore simbolizon themelin e shtetit të Republikës së Kosovës, në një kohë kur okupatori serb i mbylli shkollat, i largoi nxënësit dhe mësimdhënësit nga objektet shkollore, dyert i hapën 4 vëllezërit e familjes Mernica, me katër shtëpi, si dhe shumë familje të tjera në Vushtrri”, u shpreh kryetari i Vushtrrisë.

“Janë dhe familjet Haziri e Azemi… I kemi afër 80 familje të cilët i shndërruan shtëpitë në shkolla dhe kjo është hallka e historisë sonë kombëtare”, deklaroi Idrizi.

“I falënderoj të gjitha familjet shqiptare që si asnjëherë më parë ia dolëm që ta mbajmë arsimin shqip në periudhën më të vështirë”.

Ish-kryetari i Vushtrrisë, Muharrem Shabani, tha kontributi i familjeve që i kanë lëshuar shtëpitë e tyre, nuk duhet harruar.

“Kam nderin dhe kënaqësinë që sot jam në këtë ceremoni, që ka një peshë dhe rëndësi të madhe historike për kombin, e veçanërisht për lëmine e arsimit sepse dëshmon një kontuinitet të arsimit në Kosovë në rrethana të jashtëzakonshme që është zhvilluar dhe nuk është shkëputur ai zinxhir por e dëshmon edhe solidaritetin e e madh të qytetarëve tanë, përkundër rrezikut dhe sakrificës që kanë mundur të kenë, në mënyrë që arsimi të vazhdojë rrugën e vet. Si komb nuk guxojmë në çdo segment e kohë të caktuar që të harrojmë që ka kontribuuar në çështjen e lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë”.

E ish-drejtori i Arsimit në Vushtrri, Qazim Azemi, tregoi kohën kur disa gazetarë të huaj kishin parë mësimin në këto shtëpi.

“Kur erdhën nga Evropa Juglindore një ekip i gazetarëve në këto kullat këtu, që i panë këto kulla plotë me nxënës dhe i panë arsimtarët që vepronim në kushte të vështira dhe rezistonim. Sot jemi krenar që e kemi këtë pllakë këtu që e dëshmon dhe ruhet për gjeneratat e reja, që mësuesit e mbrojtën me gjak, që me pathyeshmëri e shkruan rrugën e shkronjave shqipe këtu në Kosovë”, u shpreh ai.

Të ngjashme