Kryetarja e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rugova ka protestuar para Qeverisë duke kërkuar shkarkimin e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka bërë të ditur se i kanë dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, përmes së cilës ka kërkuar shkarkimin e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj, pas deklarimeve për personat e pagjetur.
Ajo më tej ka thënë se kjo është hera e dytë që pë të pagjeturit bëhet një ofendim nga Qeveria.
“Meqenëse Rrjeti i grave e ka përkrahur çështjen e të pagjeturve që nga koha e pasluftës dhe meqenëse kemi masat kundër pandemisë që nuk lejohet të mblidhen më shumë se pesë persona atëherë kam vendosur që të dal vet këtu të jem zëri të pagjeturve, por poashtu në emër të Rrjetit të Grave të tregojmë protestën tonë këtu edhe para Qeverisë”.
“Ne sot i kemi dërguar letër kryeministrit Hoti dhe unë desha të ju lexoj këtë letër juve duke ju falënderuar që jeni këtu prezent në shesh”.
Rugova më tej ka shtua se ka marrë vendim që të qëndroj para Qeverisë për një orë, çdo ditë pune, derisa Selmanaj të shkarkohet.