Instituti i Kosovës për Drejtësi(IKD), të enjten ka publikuar raportin “Kostoja e pagave jubilare të papaguara”, raport ky analitik lidhur me ndikimin financiar dhe gjyqësor të rasteve gjyqësore që përfshijnë pagat jubilare, raporton Ekonomia Online.
Kjo pasi nga analiza e IKD-së rezulton se shuma mesatare e aprovuar për rastet e pagave jubilare në një proces gjyqësor është afërsisht 1 mijë e 300 euro. Gjithashtu, kostot mesatare procedurale kur kohëzgjatja mesatare është 2 vjet, arrijnë në rreth 300 euro.
Studenti i Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi(IKD), Arton Salihi, gjatë prezantimit të raportit të IKD-së “Kostoja e pagave jubilare të papaguara”, tha se në bazë të të dhënave të siguruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), 5 mijë e 666 nga 15 mijë e 719 rastet e pagave jubilare, kanë përfunduar në tri vitet e fundit.
“Kjo nënkupton se mbi 35% e këtyre rasteve janë trajtuar dhe zgjidhur nga gjykatat nëpër Kosovë”, tha Salihi.
Studenti Salihi theksoi se 8 mijë e 76 raste vetëm janë regjistruar, pa ndonjë veprim të ndërmarrë nga gjykatat lidhur me këto raste. Si rezultat i kësaj, ai tha se më shumë se 51% të rasteve të pranuara në tre vitet e fundit nuk janë marrë në shqyrtim nga gjykatësit apo nuk ka pasur ndonjë progres drejt zgjidhjes së tyre.
Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, theksoi se ky është raporti i parë analitik që shtjellon statistikat e pagave jubilare dhe ndikimin e tyre në drejtësi.
Fjolla Maksuti, studente nga Klinika Ligjore e IKD-së, tha se shpenzimet vjetore të paguara nga shteti për paga jubilare kanë arritur deri në 10 milionë euro
“Për të llogaritur vlerën në kohë të parasë, interesi penal i shtohet 16% shumës së 1 mijë e 300 eurove (8% për çdo vit për dy vjet), që arrin në 416 euro. Shtimi i kostove procedurale prej 300 euro rezulton në një kosto totale mesatare prej 1 mijë e 808 euro për një rast pagash jubilare”, tha ajo.
“Kjo nënkupton se shpenzimet vjetore të paguara nga shteti për paga jubilare kanë arritur deri në 10 milion euro”, u shpreh Maksuti.
Në anën tjetër, Jorik Vatovci, po ashtu student nga Klinika Ligjore e IKD-së, theksoi se paga jubilare është pagë shtesë që i jepet punëtorit në bazë të kontratës kolektive apo ndonjë akti të brendshëm institucional dhe se baza ligjore e saj është përcaktuar me Ligjin e Punës.
“Për më tepër, Ligji i Punës përcakton se “Kontrata Kolektive nuk duhet të përfshij asnjë të drejtë më pak të favorshme për punëdhënësin dhe punëtorin se të drejtat e përcaktuara në ligj. Kjo nënkupton se Kontrata Kolektive nuk mund të përcaktojë më pak të drejta se sa ato të garantuara me ligj”, tha Vatovci.
Arrita Rezniqi, menaxhere e programit në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), gjatë prezantimit të raportit “Kostoja e pagave jubilare të papaguara” tha se Ministria e Financave duhet të ndajë buxhet të nevojshëm për komunat lidhur me pagat jubilare.
Rezniqi tha se ky dikaster duhet të ndajë buxhetin e nevojshëm për komunat për paga jubilare përmes Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Në mënyrë që rastet e pagave jubilare të zgjidhen përmes rrugëve administrative, pa pasur nevojë të adresohen në gjykatë. Kjo do të mundësonte që ndarja e mjaftueshme e mjeteve buxhetore, të përmbushte kërkesat e qytetarëve drejtpërdrejt, duke reduktuar kështu numrin e kontesteve që rrisin numrin e rasteve në gjykata”, u shpreh ajo.