Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Zbatimi i Programit Kombëtar për Kryerësit e Dhunës ndaj Grave në Kosovë (Analizë e kornizës ligjore, praktikës gjyqësore dhe zbatimit institucional)”i cili analizon kornizën ligjore dhe institucionale që rregullon trajtimin e kryerësve të dhunës ndaj grave, nivelin e zbatimit të programit, si dhe rolin e sistemit të drejtësisë në referimin e kryerësve në programe të caktuara, raporton Ekonomia Online.
Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë në IKD, ka thënë ka thënë se në analizën e 50 aktgjykimeve, është konstatuar se gjykatat nuk kanë urdhëruar asnjë kryerës të dhunës ndaj grave të ndjekë Programin Kombëtar.
“Në vendin tonë aktualisht ky program gjen zbatim vetëm mbi baza vullnetare dhe për këtë kemi analizuar 50 aktgjykime sepse e dimë që tashmë një kohë aktgjykimet nuk publikohen për rastet e dhunës në familje, vetëm një numër i caktuar i tyre kanë qenë publik në kuadër të faqes së Këshillit Gjyqësor të Kosovës, prandaj edhe numri për me i siguruar një mostër të tillë, ka qenë pak sfidues dhe kur kemi arritur t’i identifikojmë, qëllimi dhe fokusi ka qenë tek aktgjykimet dënuese penale në rastet e dënimeve me kusht dhe në këtë rast kemi kërkuar të gjejmë nëse në këto aktgjykime gjykatat kanë shqiptuar edhe detyrimet që lidhen me nenin 56 të Kodit Penal në lidhje me disa prej 15 masave që shqiptohen, një prej të cilave përcaktohet edhe detyrimi për të ndjekur programe të caktuara për rehabilitimin. Dhe në të gjitha rastet nuk kemi gjetur domethënë asnjë rast ku është referuar ndonjë kryes në kuadër të programit kombëtar për kryesit e dhunës ndaj grave në Kosovë. Kemi parë domethënë që gjykatat e kanë kufizuar dënimin me kusht vetëm në pezullimin e ekzekutimit të dënimit, pa e shoqëruar me masa shtesë rehabilituese, ndonëse në 10 prej 50 aktgjykimeve është kërkuar edhe vënia në shërbim të sprovës. Për neve diçka edhe më specifike këtu ka qenë fakti që në asnjë prej këtyre aktgjykimeve nuk kemi arritur të gjejmë arsyetim specifik prej gjykatës pse nuk është referuar në kuadër të kësaj dispozite të Kodit Penal”, tha ajo.
Rrezniqi theksoi që shumica e dënimeve ndaj dhunuesve janë me kusht.
“Që të realizohet dhe të kemi mundësi të zbatimit të kësaj çështje, sepse gjetjet e raporteve tona paraprake e tregojnë që shumica e dënuesve e dënimeve që shqiptohen ndaj kryesit të dhunës në familje, janë dënime me kusht. Që i bie se pikërisht shumica e dënuesve e atyre që dënohen për veprat penale të dhunës në familje, mbesin jashtë këtij programi, sepse ky program nuk po zbatohet, është në kohën e detyrueshme, por vetëm vullnetare”, tha ajo.
Ajo tha se mungon një akt nënligjor për rregullimin e mënyrës së organizimit, monitorimit dhe vlerësimit të programit.
“Ajo që kemi identifikuar është se mungon një akt nënligjor për me rregulluar mënyrën e ë organizimit, standardet, monitorimin dhe procesin, vlerësimin e programit të tillë. Ka qenë një akt nënligjor i një udhëzimi administrativ i vitit 2012, i cili tashmë është shfuqizuar me shfuqizimin e ligjit paraprak dhe hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Ligji i ri për mbrojtjen nga dhuna në familje, i plotë i gjatë, po e shkurtoj, është ka përcaktuar saktësisht ë obligimin e qeverisë për nxjerrjen e akteve nënligjore brenda gjashtë muajve prej hyrjes në fuqi të ligjit, por që ende nuk është ndërmarrë asnjë hap në lidhje me këtë akt nënligjor për sa i përket programeve”, u shpreh ajo.
Ndërsa, Albert Haliti, gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë tha se këto të dhëna nuk arsyetohen edhe pse sistemi gjyqësor po përballet me sfida të shumta.
“Përkundër faktit që sot sistemi gjyqësor ballafaqohet me sfida të shumta, ballafaqohet me pjesë buxhetit, stafit, kushteve të punës, megjithatë të dhënat e nxjerra nga ky raport nuk mund të arsyetohen. Po ashtu, duke marrë parasysh natyrën specifike të së drejtës penale, për këtë arsye edhe e drejta penale materiale, edhe Kodi Penal i Kosovës ka paraparë aspekte të kombinuara të sanksioneve penale. Kjo në funksion që në mënyrë, realizimit të qëllimit të dënimit të individëve, parandalimin e kryerjes së veprave penale, por edhe në rehabilitimin e tyre. Për këtë arsye sot dispozitat penale në vete ngërthejnë edhe një dozë të humanitetit dhe për realizimin e këtij qëllimi, e drejta penale përveç dënimeve kryesore, ka paraparë dënimet plotësuese, dënimet alternative si edhe masat të cilat mund t’u shqiptohen ndaj kryerësve të këtyre veprave penale. Unë besoj që pjesa e Kodit Penal ka paraparë të gjithë mekanizmat, mekanizmat të cilët nëse zbatohen do të ndikojnë jashtëzakonisht shumë në funksion të realizimit të këtyre qëllimeve, pra qëllimit të parandalimit të kryerjes së veprave penale, por edhe në rehabilitimin e tyre në tërësi”, u shpreh Haliti.
Trëndelina Qorraj, drejtoreshë e Departamentit për Trajtim të Burgosurve dhe të Miturve, nga Shërbimi Korrektues tha se personat e dënuar i kanë vendosur vetëm në burgun e Dubravës, për arsye se stafi i trajnuar kanë qenë nga ajo pjesë.
“Duke parë numrin që kemi pasur të stafit të trajnuar për këtë program specifik, me qëllim të zbatimit sa më të mirë të këtij programi kemi ndërmarrë një hap për personat e dënuar të kësaj kategorie i kemi vendosur vetëm në burgun e Dubravës, për shkak se stafi i trajnuar kanë qenë kryesisht nga ajo pjesë. Ndërsa, me kohë kemi pasur lëvizje të stafit edhe kemi mbetur me një numër më të vogël se ky që ishte më herët. Duke e parë këtë problem në institucionin tonë, vitin e kaluar kemi biseduar me projektin e Këshillit të Evropës ku kemi insistuar që të mundësohet faza e dytë e trajnimit të zyrtarëve të çështjeve sociale”, u shpreh ajo.
Adelina Berisha, drejtore e Programit për Adresimin e Dhunës në Baza Gjinore, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, tha se qëllimi i këtij programi është që dhunuesit të mësojnë pasojat e sjelljeve të tyre dhe numri i rasteve të zvogëlohet.
“Kur flasim për dhunën ndaj grave, shpesh fokusin e kemi vetëm tek reagimi emergjent ndaj rastit, më shumë flasim për ndjekje penale, mirëpo nuk flasim shumë edhe për shërbimet që i kemi për obligim me i ofru, qoftë për viktimat, po ashtu edhe për ushtruesit e dhunës. Normal edhe qëllimi i këtij programi e ka këtë, që të sigurohemi që këta ushtrues të dhunës nuk do të na bëhen më recidivë, do t’i mësojnë pasojat e sjelljeve të tyre dhe numri i rasteve të dhunës, të shpresojmë që edhe do të reduktohen. Mirëpo, asnjëherë nuk është qëllimi që ushtruesve të dhunës t’iu krijohet përshtypje se ata e kaluan një program dhe kjo të merret edhe si një lehtësim në dënimin e tyre. Këtu janë edhe disa prej gjetjeve që edhe raporti i thekson dhe duhet gjithmonë ta kemi fokusin tek viktima, të sigurohemi që viktima është duke u ndjerë e sigurtë, fëmijët e përfshirë në atë rast janë duke u ndjerë të sigurtë dhe se vetëm në ato raste kur komuniteti, viktimat janë duke u ndierë që është punuar me ushtrues dhe janë duke u ndjerë të sigurta, mund të themi se ne kemi arritur të zbatojmë programin në menyrën e duhur. Pra, prapë dua ta theksoj, sidomos për gjyqtarët këtu, po edhe mbrojtësit e viktimave, prokurorët, të jenë shumë të kujdesshëm që nesër kur vjen deri te përfundimi i programit nga një ushtrues i dhunës, mos të mjaftohemi vetëm me ndjekjen e këtij programi, po të sigurohemi që me të vërtetë ai person e ka ndryshuar sjelljen dhe ka mësuar nga veprimet e dëmshme të cilat i ka shkaktu”, theksoi ajo.
IKD ka vlerësuar se gjykatat, prokurorët, mbrojtësit e viktimave dhe akterët e tjerë të sistemit të drejtësisë duhet të shfrytëzojnë në mënyrë më aktive mekanizmat e paraparë ligjor, duke propozuar dhe shqiptuar detyrime rehabilituese në rastet kur rrethanat e çështjes e arsyetojnë një masë të tillë.


