Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) si pjesë e projektit “Avancimi i të Drejtave të Grave në Punë”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe bashkë financuar nga Bashkëpunimi Suedez për Zhvillim, në bashkëpunim me Rrjetin e Grave në Kosovë ka publikuar raportin “(Pa)Drejtësia dhe Diskriminimi me Bazë Gjinore në marrëdhëniet e punës”.
Menaxheri i Programit në IKD, Yll Zekaj në hapje të kësaj tryeze tha se ky raport del si rezultat i monitorimit sistematik të seancave gjyqësore nga IKD dhe analiza e drejtpërdrejtë të aktgjykimeve dhe anketave të zhvilluara me gjyqtarë, avokatë dhe palë të përfshira në këtë proces.
Hulumtuesja nga IKD, Gzime Hashani fillimisht prezantoi gjetjet e përgjithshme, të cilat i atribuoheshin kontesteve të punës ku palë kanë qenë si gratë, ashtu edhe burrat. Me këtë rast, Hashani tha se sistemi i drejtësisë nuk po i përgjigjet kërkesave kushtetuese dhe ligjore për mbrojtjen e të drejtave nga marrëdhënia e punës.
Hashani tha se përkundër faktit se cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës ndëshkohet penalisht përmes një kapitulli të veçantë në Kodin Penal, Prokurori i Shtetit është pothuajse pasiv në drejtim të mbrojtjes së këtyre të drejtave, për më tepër ky institucion nuk gjeneron fare të dhëna lidhur me veprat penale të vrasjeve sa i përket veprave penale që ndërlidhen me marrëdhënien e punës.
Hashani gjatë kësaj tryeze tha se një numër i madh i punonjësve në sektorin privat në Kosovë, nuk janë të pajisur me kontratë të punës, rrjedhimisht punëdhënësit i shmangen kryerjes së obligimeve ndaj punëmarrësve, të cilat rrjedhin nga marrëdhënia e punës, fakt ky i cili vërtetohet nga numri i madh i lëndëve të cilat vijnë në gjykatë dhe që kanë objekt pikërisht mos respektimin e obligimeve nga marrëdhënia e punës nga ana e punëdhënësve.
Sipas Hashanit, numri i madh i padive që kanë për objekt kontestet nga marrëdhënia e punës flet për një nivel të lartë të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve nga punëmarrësit.
E gjetur tjetër e raportit të publikuar sipas Hashanit është edhe mungesa e sigurisë në punë dhe zvarritja e proceseve gjyqësore.
Ajo tha se gjatë monitorimit të kontesteve gjyqësore që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, IKD ka gjetur se ka zvarritje të vazhdueshme në trajtimin e këtyre kontesteve nga ana e gjykatave, ku kjo zvarritje shkon deri në 10 vjet.
Sipas Hashanit, përkundër zvarritjes së rasteve në masë të madhe, raste të caktuara ku subjekte të procedurës kanë qenë persona publik janë trajtuar në mënyrë selektive duke u zgjidhur brenda afateve optimale.
Autorja tjetër e këtij raporti, Arrita Rezniqi ka thënë se përkundër kornizës ligjore të përafruar me standardet e Bashkimit Evropian, sfida më e madhe në trajtimin e marrëdhënieve të punës, mbetet aspekti praktik.
Rezniqi tha se gratë shpesh ballafaqohen me diskriminim në marrëdhënie pune dhe për më tepër të gjitha shkeljet e tilla jo çdo herë trajtohen dhe adresohen në mënyrë të drejtë nga ana e institucioneve përkatëse, duke ndikuar kështu drejtpërdrejt pastaj në dekurajimin e grave të tjera për raportimin dhe realizimin e të drejtave të veta në procedurë.
Sipas saj, ndonëse shkalla e diskriminimit të grave mbetet shqetësuese, në praktikë nuk është gjetur asnjë rast ku gjykatat kanë vendosur mbi diskriminimin në bazë të Ligjit mbi Diskriminim, diçka e tillë veçanërisht ndodhë për shkak se edhe në ato raste ku veç përmendet se ekziston diskriminim, kërkesëpadia nuk ka përmbajtur diçka konkrete në këtë drejtim.
Rezniqi tha se sa i përket afatit kohor të trajtimit të këtyre rasteve të analizuara, IDK ka gjetur se mesatarja kohore e trajtimit të këtyre rasteve prej ditës së paraqitjes së padisë e deri në ditën e marrjes së vendimit përfundimtar nga Gjykata e Apelit, mesatarisht kalojnë 1,599 ditë apo më shumë sesa 4 vjet.
Pjesë e kësaj tryeze ishte edhe gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Alajdin Tërshnjaku i cili tha se sa i përket infrastrukturës ligjore lidhur me marrëdhëniet e punës nuk ka ndonjë vërejtje pasi që legjislacioni është i mjaftueshëm në këtë fushë.
“Gjatë leximit te këtij raporti mendoj qe është iniciative e qëlluar pasi ndihmon në ngritjen e vetëdijes dhe vetëdijesimin e palëve në këtë rast, grave kur hasen rastet të tilla siç janë rastet e diskriminimit në punë, gjatë parashtrimit të padive në gjykatë ato mund ti paraqesin bazën juridike qe ndaj tyre ka diskriminim d.m.th. që janë të diskriminuara në atë punë” tha gjykatësi Tërshnjaku.
Sa i përket diskriminimit, gjykatësi Tërshnjaku tha se në rastet që kanë trajtuar, palët nuk kërkojnë të konstatohet fare diskriminimi vetëm pretendojnë se janë diskriminuar duke kërkuar kthim në punë.
Ndërsa, për vonesën në trajtimin e rasteve, gjykatësi deklaroi se gjykata është e ngarkuar me një numër të madh të lëndëve dhe për trajtimin e tyre nuk ka kapacitete të mjaftueshme.