IKD-ja: Lufta ndaj “krimeve speciale” në Kosovë pa rezultate dhe me mungesë efikasiteti

Prishtinë | 12 Nën 2020 | 11:18 | Nga Ekonomia Online

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, publikon raportin “Krimet Speciale në Kosovë”. Ky raport është rezultat i monitorimit të drejtpërdrejt të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe Departamenteve Speciale (DS). Krahas të tjerave, ky raport bënë një trajtim të veçantë mbi trajtimin e rasteve të terrorizmit në sistemin e drejtësisë.

Në vitin 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës me ligj të veçantë kishte themeluar PSRK-së, derisa një departament ekuivalent në gjyqësor ishte themeluar në vetëm në vitin 2019, përkatësisht Departamenti Special për Rastet e PSRK-së në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe Gjykatën e Apelit.

Raportet e institucioneve ndërkombëtare si të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Raporti i Progresit për Kosovën i Bashkimit Evropian, ashtu edhe në ato të organizatave jo qeveritare në vend, pasqyrojnë se Kosova është ende larg luftës efektive kundër korrupsionit, e veçanërisht të korrupsionit të profilit të lartë.

Edhe pse në raportet vjetore, PSRK-ja numrin më të madh të aktakuzave i ka ngritur për vepra penale të korrupsionit, në bazë të analizës së IKD-së, rezulton se të gjitha aktakuzat e PSRK-së ndaj të akuzuarve të profilit të lartë, kanë dështuar.

Nga monitorimi i punës së PSRK-së, IKD gjenë se kjo kjo prokurori ka treguar efikasitet të ulët, përkundër rritjes së numrit të prokurorëve. Përderisa në fillim të vitit 2016 kjo prokurori ka pasur 541 lëndë të pazgjidhura, në fund të vitit 2019 e njëjta prokurori ka lënë të pazgjidhura gjithsej 1,799 lëndë. Përgjatë katër (4) viteve, PSRK nuk ka arritur që të zgjidhë lëndë aq sa edhe ka pranuar. Përgjatë këtyre katër (4) viteve, në mesatare, prokurorët e PSRK-së kanë arritur përmbushjen e normës orientuese vetëm në vitin 2019, derisa këtë normë nuk e kanë arritur në tri (3) vitet e tjera. Raporti në mes të lëndëve të zgjidhura dhe atyre të pranuara në PSRK ka një bilanc të theksuar negativ, që nënkupton se stabiliteti me lëndë në PSRK vetëm sa është duke pësuar regres, dhe asnjë progres minimal. Në këtë drejtim, IKD vlerëson se kjo situatë është alarmante, jo për nga numri i lëndëve, por nga trendi i arritjes së stabilitetit.

Gjatë vitit 2016, në kohën kur kishte vetëm 10 prokurorë, PSRK ka ngritur aktakuza ndaj 352 personave, ndërsa një vit më pas edhe pse me 14 prokurorë, nuk ka ngritur aktakuza as sa gjysma e vitit paraprak. Në vitin 2017 kjo prokurori ka ngritur aktakuza vetëm ndaj 209 personave, ndërsa trendi më negativ ka ndodhur në vitin 2018, ku 15 prokurorë, kanë arritur të ngritin aktakuza vetëm ndaj 98 personave, ndërsa në vitin 2019, 14 prokurorë kanë ngritur aktakuza ndaj 144 personave.

Gjykatat e Kosovës, sipas Raportit të Punës të PSH-së për vitin 2017, kanë shpallur fajtorë 38 persona që ishin akuzuar nga PSRK, ndërsa në vitin 2018, ishin shpallur fajtorë 99 persona, kurse në vitin 2019, janë shpallur fajtorë 26 persona.

Edhe pse në të gjitha raportet e punës së Prokurorit të Shtetit, theksohet se puna e PSH-së është transparente për publikun, nga të dhënat lidhur me kërkesat për qasje në dokumente zyrtare dhe informata që IKD duke u bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumentet Publike ka parashtruar në PSRK, rezulton se kjo prokurori ka një qasje jo-transparente përballë publikut, e cila qasje manifestohet nëpërmjet mos zbatimit të dispozitave ligjore të përcaktuara në Ligjin nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike.

Që nga themelimi i DS e deri më 31 dhjetor 2019, DS i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka shpallur 13 aktgjykime dënuese, ku shtatë (7) dënime janë me burgim efektiv, gjashtë (6) dënime me burgim me kusht dhe tre (3) dënime me gjobë. Gjatë kësaj periudhe kohore, ky departament nuk ka shpallur asnjë aktgjykim lirues. Në një rast, IKD ka gjetur se DS i Gjykatës Themelore në mënyrë të kundërligjshme kishte amnistuar dy (2) të pandehur nga dënimi me gjobë, duke shqiptuar vetëm dënim me burgim. Për të njëjtin vendim, PSRK nuk kishte ushtruar ankesë, derisa kundërligjshmëria ishte konstatuar edhe nga DS i Gjykatës së Apelit.

Sa i përket afateve ligjore, Departamenti Special ka arritur që në masë të madhe të procedojë me kohë me lëndët që kanë qenë objekt shqyrtimi, duke marrë parasysh faktin se gjyqtarët e këtij departamenti kanë pasur një numër jo aq të madh të lëndëve në punë gjatë kësaj periudhe raportuese.

Në anën tjetër, IKD që nga themelimi i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë e deri në mars të vitit 2020, ka monitoruar gjithsej 25 raste të terrorizmit, prej të cilave 28 persona janë të akuzuar, nga të cilët gjashtë (6) persona i takojnë gjinisë mashkullore, ndërsa 22 persona të tjerë i takojnë gjinisë femërore. Nga këto 25 raste të monitoruara, procedura penale në shkallë të parë ka përfunduar ndaj 25 personave. Ndaj këtyre 25 personave, janë shqiptuar gjithsej 26 dënime. Ndërsa DS i GjTh në Prishtinë nuk ka shqiptuar asnjë aktgjykim lirues apo refuzues. Prej këtyre 25 aktgjykimeve dënuese, pesë (5) persona janë dënuar me burgim efektiv, 20 persona janë dënuar me kusht dhe ndaj një (1) personi krahas dënimit me burg, ёshtё shqiptuar edhe dënimi me gjobë.

Ndërsa, Departamenti i Gjykatës së Apelit, që nga funksionalizimi i tij e deri më 31 dhjetor 2019, ka pranuar 17 lëndë, prej të cilave shtatë (7) i kishte zgjidhur, ndërsa kishin mbetur të pazgjidhura 10.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme