Instituti i Kosovës për Drejtësi reagon ndaj vendimeve të dy institucioneve në kuadër të sistemit të drejtësisë, përkatësisht vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për kufizimin e qasjes së avokatëve në gjykata dhe vendimit të Odës së Avokatëve të Kosovës me bojkotimin e seancave gjyqësore, të cilat janë duke prodhuar dëme të mëdha në kurriz të sistemit të drejtësisë dhe sidomos në dëm të drejtave dhe lirive të qytetarëve që janë subjekt të procedurave gjyqësore.
IKD si organizata e vetme që monitoron sistematikisht sistemin gjyqësor dhe prokurorial, gjen se këto vendime janë duke prodhuar dëme të mëdha, të cilat po ndikojnë drejtpërdrejtë në shkeljen e të drejtave të qytetarëve. Bazuar në të dhënat e monitorimit sistematik të IKD-së, rezulton se vetëm me 9 janar 2019, janë shtyrë 161 seanca gjyqësore në çështjet penale. Në të gjitha këto raste, më së shumti janë duke pësuar palët në procedurë, duke mos arritur të realizojnë të drejtat e tyre të garantuara me legjislacionin pozitiv. IKD shpreh shqetësim për këtë situatë të krijuar për shkak të qasjes së KGJK-së dhe OAK-së, të cilat kanë ndikuar që një numër i madh i rasteve të natyrës urgjente siç janë ato të paraburgimit të dështojnë më 9 janar 2019. Me këtë problem janë duke u ballafaquar gjykatësit dhe prokurorët edhe sot me datë 10 janar 2019 për shkak të natyrës urgjente që kanë këto raste, të cilat nuk mund të procedohen pa përfaqësimin e avokatëve.
IKD ka analizuar vendimet respektive të këtyre dy institucioneve dhe pasojat e krijuara si rezultat i kësaj situate. IKD vlerëson se KGJK ka vepruar në mënyrë të gabuar dhe pa bazë kur ka nxjerrë vendim/rekomandim për ta rregulluar çështjen e qasjes së avokatëve në gjykata. Vendimi i KGJK-së për më tepër është selektiv, i pabazuar dhe pa arsyetuar si duhet, i cili ka prodhuar pasoja, duke shkaktuar deme tek palet, duke zvarritur proceset gjyqesore.
IKD ri-kujton KGJK-në, se në bazë të praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila praktikë sipas Kushtetutës dhe ligjit të aplikueshëm në Kosovë është e obligueshme për tu ndjekur dhe zbatuar nga gjykatat e Kosovës, barazia e palëve ndërmjet prokurorisë dhe mbrojtjes gjatë procedurave penale është aspekt themelor për një proces të drejtë, të pavarur dhe të paanshëm gjyqësor. Fatkeqësisht, vendimi i KGJK-së, duke i kufizuar të drejtën e qasjes vetëm avokatëve në ambientet e hapësirave të gjykatave në nivel vendi, ka cenuar rëndë këtë parim, duke i vënë ata në pozitë të pa barabartë me prokurorët e shtetit dhe palët e tjera në procedurë gjyqësore.
Kushtetuta e Kosovës përcakton se KGJK siguron pavarësinë dhe paanësinë e sistemit gjyqësor. KGJK është institucion plotësisht i pavarur në ushtrimin e funksioneve të tij, i cili është kompetent në menaxhimin dhe administrimin e gjykatave, i cili duhet të sigurojë që gjykatat në Kosovë janë të pavarura, profesionale e të paanshme, dhe që të pasqyrojnë plotësisht natyrën shumetnike të Republikës së Kosovës si dhe të ndjekin parimet e barazisë gjinore. Në këtë drejtim, IKD njeh dhe promovon idenë që KGJK, në kuadër të ligjit të aplikueshëm të rregulloj administrimin dhe menaxhimin e sistemit gjyqësor, përfshirë vënien e rregullit dhe disiplinës, që për qëllim kanë ngritjen e efikasitetit, efektivitetit, integritetit dhe besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor të Kosovës.
Sidoqoftë, KGJK por edhe Kryetarët e Gjykatave kanë për obligim që në kuadër të ushtrimit të kompetencave dhe përgjegjësive të tyre, të marrin vendime të bazuara në ligj, duke respektuar procedurat dhe të drejtat e palëve në procedurë gjyqësore. Fatkeqësisht, KGJK vendimin e saj e ka bazuar në një urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren, të datës 8 gusht 2018, i cili nuk ka asnjë bazë ligjore në të cilën është mbështetur, dhe për më tepër i njëjti nuk është i arsyetuar.
Këshilli Gjyqësor dhe Avokatia si profesion, e cila rregullohet përmes Odës së Avokatëve të Kosovës janë kategori kushtetuese që për mision kanë promovimin dhe ngritjen e sundimit të ligjit në Kosovë, me theks të veçantë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Fatkeqësisht, këto dy institucione kanë dështuar që përmes komunikimit dhe koordinimit të tejkalojnë situata të tilla që në praktikë janë duke e penguar punën e gjykatave, të cilat detyrohen në mungesë të përfaqësimit të mbrojtjes nga avokatët të shtyjnë proceset gjyqësore, të cilat në fund prodhojnë pasoja të mëdha në dëm të qytetarëve që janë palë në këto procedura në gjykata.
IKD po ashtu shpreh shqetësimin lidhur me mënyrën se si Oda e Avokatëve të Kosovës ka reaguar dhe e ka menaxhuar këtë situatë si rezultat i vendimeve të KGJK-së. OAK padyshim se në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të saj ka nxitjen e një qasjeje sa më të plotë dhe të barabartë të përfaqësimit ligjor për të gjithë personat pa marrë parasysh kushtet ekonomike dhe sociale. OAK ka për mision të vendosë standarde të larta të profesionalizmit, kompetencës, besimit dhe sjelljes etike për avokatët në Kosovë. Për më tepër, Oda i konsideron synime të përhershme angazhimet për ruajtjen e pavarësisë së profesionit ligjor dhe pushtetit gjyqësor si themele të shoqërisë së lirë e demokratike.
Në këtë drejtim, edhe Vendimi i OAK që në mënyrë të njëanshme dhe të bojkoton në mënyrë të përgjithshme dhe të pakufizuar të gjitha seancat gjyqësore, përfshirë rastet e paraburgimit, si dhe bojkotimin e përfaqësimit të rasteve në Polici dhe Prokurori, bie në kundërshtim me vlerat dhe parimet që i promovon ky institucion. Rrjedhimisht, përmes këtij vendimi, cenohen të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, rastet e cilëve nuk mund të procedohen pa përfaqësimin e mbrojtjes nga avokatët.
Në të njejtën kohë si KGJK ashtu edhe OAK, kanë injoruar obligimet që dalin nga ligji i aplikueshëm në Kosovë, e veçanarisht në drejtësinë penale. Këto dy institucione përmes vendimeve dhe veprimeve të tyre kanë shkelur parimet dhe standardet e përcaktuara më Kodin e Procedurës Penale.
Në këtë drejtim, IKD fton KGJK dhe OAK që të ndërmarrin veprime urgjente për të tejkaluar këtë gjendje në mënyrë që të vazhdojë në mënyrë të papenguar mbarëvajtja e punëve në procedimin e seancave gjyqësore, gjithë kjo në funksion të ofrimit të shërbimeve nga sistemi i drejtësisë për qytetarët.
Për të shmangur këtë situate dhe për t’i ofruar zgjidhje këtij problemi, i cili është duke krijuar pasoja të mëdha për sistemin e drejtësisë e sidomos për qytetarët që janë subjekte në procedurat gjyqësore, IKD ofron rekomandime për KGJK-në dhe OAK, të cilat duhet të trajtohen me urgjencë nga këto institucione për të evituar shkeljet e të drejtave të qytetarëve në procedura gjyqësore.
Rekomandimet për KGJK:
Vendimi lidhur me rregullin dhe disiplinën në gjykatat e Kosovës, duhet të bëhet përmes aktit nënligjor respektivisht rregullores së miratuar në KGJK. Rregullorja duhet të jetë e bazuar në ligj, duke respektuar dhe promovuar standarde që rrisin besimin e publikut dhe integritetin në sistemin gjyqësor të Kosovës, por që në të njejtën kohë i mbrojnë dhe i trajtojnë në mënyrë të barabartë të gjitha palët në procedurë gjyqësore.
Komunikimi në mes gjykatësve me prokurorë dhe avokatë duhet të jetë komunikim zyrtar, duke u bazuar ne legjislacioin në fuqi dhe praktikat e mira që promovojnë qasjen në drejtësi, dhe duke përjashtuar mundësitë e komunikimit ex parte në mes të gjykatësve me prokurorë apo gjykatësve me avokat mbrojtës apo palë të tjera.
KGJK përmes legjislacionit sekondar të përcaktoj rregullat e qasjes në gjykata, ku përfshihen hyrjet dhe daljet, identifikimin dhe regjistrimin e të gjitha palëve dhe personave që kërkojnë shërbime në gjykata, përfshirë kontrollin dhe monitorimin e zbatimit në praktikë të kësaj rregullative ligjore.
KGJK të krijoj mundësi për avokatët që të ushtrojnë profesionin e tyre në mënyrë të lirë dhe të pavarur në objektet e gjykatave, duke përfshirë inventarizimin e zyrave të avokatëve të përcaktuara dhe lejuara nga KGJK, në Pallatin e Drejtësisë dhe sigurim të zyrave në të githa gjykatat e Kosovës.
Rekomandimet për OAK:
OAK duhet të tërheq urgjentisht vendimin për ndalimin e përfaqësimit të avokatëve në të gjitha rastet, duke lejuar përfaqësimin në rastet e natyrës urgjente, siç kërkohet me ligj dhe në komunikim dhe koordinim më KGJK-në të gjejnë një zgjidhje për të mundësuar zhvillimin e procedurave gjyqësore në pajtim me ligjin e aplikueshëm.