IKD: Për rastin e Agonis Tetajt të mbahet përgjegjës edhe ish-kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti

Prishtinë | 18 Mar 2021 | 16:24 | Nga Ekonomia Online

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka reaguar ndaj zhvillimeve në çështjen penale ku i akuzuar për vrasjen e tanimë të ndjerit Agonis Tetaj është Shaban Gogaj.

Gogaj fillimisht akuzohej për veprën penale të vrasjes së rëndë, ndërsa në seancën që ishte mbajtur më 16 mars 2021, prokurori Agron Uka kishte bërë rikualifikimin e veprës penale në vrasje nga pakujdesia.

“Pas gjithë dyshimeve që janë ngritur për këtë rast, IKD përshëndet vendimin e Kryeprokurorit të Shtetit që në kuadër të kompetencave të tij ligjore ka marrë lëndën në fjalë nga prokurori i çështjes Agron Uka dhe të njëjtën do ta ricaktojë tek një prokuror tjetër.

Po ashtu, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu, si autoritet kompetent që të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve ndaj prokurorit, Agron Uka”, thuhet në reagimin e IKD-së.

Me këtë rast, IKD kërkon që ky vendim i Kryeprokurorit të Shtetit të pasohet edhe me masa adekuate ndaj njërit prej akterëve kryesorë në këtë rast që është ish-kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti.

IKD kërkon që ndaj ish-kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti të iniciohen procedurat penale dhe disiplinore për shkak të mënyrës së kundërligjshme me të cilin ish-kryeprokurori Dërguti kishte vendosur që nga kjo lëndë të përjashtohet Prokuroria Themelore në Pejë dhe e njëjta të delegohet në Prokurorinë Themelore në Gjilan.

“Një veprim të tillë, Dërguti e kishte bërë duke i tejkaluar kompetencat e tij ligjore, pasi që të njëjtat, nuk i japin asnjë mundësi Prokurorisë së Apelit që të vendosë lidhur me përjashtim të prokurorive themelore”, thuhet më tej në reagim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme