Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj moszbatimit të Ligjit për Qasje në Dokumentet Publike, qasjes selektive dhe zbatimit të standardeve të dyfishta të sistemit prokurorial lidhur me përmbushjen e obligimeve ligjore të ofrimit të qasjes në dokumente publike.
Sistemi prokurorial tashmë ka ndërtuar një praktikë të mbrapshtë të zbatimit të Ligjit për Qasje në Dokumentet Publike, duke ofruar dokumente në mënyrë selektive dhe vetëm atëherë kur dokumentet nuk përbëjnë rrezik për zbulimin e keqpërdorimeve të sistemit prokurorial dhe kur publikimi i tyre shërben për interesat e tyre. Në të kundërtën, të gjitha dokumentet e qasshme sipas ligjit kur bëhet fjalë për rastet të ndjeshme në të cilat prokurorët vendosin në kundërshtim me ligjin, sidomos në rastet e profilit të lartë të korrupsionit, sistemi prokurorial nuk aprovon kërkesat për qasje në këto dokumente.
IKD nga viti 2013, monitoron në mënyrë sistematike sistemin prokurorial dhe gjyqësor në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë monitorimin e akteve prokuroriale rreth vendimeve përfundimtare për hudhje të kallëzimeve penale dhe vendimeve përfundimtare për pushim të hetimeve. Këto dokumente vazhdimisht janë siguruar në përputhje me Ligjin për Qasje në Dokumentet Publike dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Qëllimi i këtij monitorimi është zbatimi i obligimeve ligjore, identifikimi i shkeljeve ligjore dhe procedurale në trajtimin e rasteve të korrupsionit në procedurën penale, përfshirë identifikimin e rasteve të parashkruara.
Deri në vitin 2015, sistemi prokurorial kishte ofruar qasje në dokumentet prokuroriale lidhur me hudhjen e kallëzimeve penale dhe pushimin e hetimeve në të gjitha rastet e korrupsionit. Nga koha e emërimit të Aleksandër Lumezit, në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, në vitin 2015, ka filluar kufizimi i qasjes në dokumente publike në rastet kur Prokurori i Shtetit hudh kallëzimet penale apo pushon hetimet në rastet e korrupsionit, përveq në rasteve inidviduale sipas interesave të vet Kryeprokurorit të Shtetit apo individëve të caktuar në këtë sistem.
Rastet e më poshtme dëshmojnë, sesi Prokurori i Shtetit, korrupsionin e brendshëm, skandalet për keqpërdorime dhe korrupsion brenda sistemit prokurorial i fsheh përmes zbatimit të politikave kundërkushtetuese dhe kundërligjore, duke kufizuar qasjen në dokumente publike.
Rasti i fundit në lidhje me prokurorin special Ali Rexha, i cili është suspenduar ndër të tjera edhe për shkak se, sipas Prokurorit të Shtetit, kishte nisur hetimet preliminare për një rast të hetuar dhe mbyllur, dëshmon keqpërdorimin e autorizimeve ligjore të zyrtarëve të sistemit prokurorial në zbatimin selektiv të Ligjit për Qasje në Dokumentet Publike.
Prokurori i Shtetit, më 18 janar 2018, përmes një komunikate për media, ka akuzuar Prokurorin Ali Rexha se ai me qëllim të hakmarrjes ka inicuar hetimet ndaj tre ish-anëtarëve të KPK-së. Në këtë komunikatë ndër të tjera thuhet se “Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 24 janar 2017, ka marr Aktvendim PPN.nr.697/2015, lidhur me hudhjen e këtij rasti”.
Shoqëria civile dhe mediat kanë kërkuar qasje në këtë aktvendim përfundimtar për hudhje të kallëzimit penal, të cilin e kanë cituar Prokurori i Shtetit, por që ky institucion ka refuzuar ta ofrojë atë me arsyetimin se: “Kërkesa nuk mund të realizohet sepse me publikimin e këtij aktvendnimi, mund të bëhet shkelje e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Poashtu, kur kësaj i shtohet që rasti në fjalë është hetuar nga një organ kompetent dhe i thirrur për hetimin e rasteve të dyshuara kundërligjore dhe si rezultat nuk është gjetur asnjë provë për shkelje ligore, atëherë vlerësojmë që nuk është në interesin e askujt për të publikuar këtë vendim.”
IKD rikujton se Prokurori i Shtetit në rastin e njëjtë të hetimeve preliminare me rastin e hudhjes së kallëzimit penal (të parashtruar nga askush) për dosjen e provimit të jurisprudencës së Aleksandër Lumezit ka vendosur ta publikojë vendimin përmes komunikatës për media dhe në uebfaqe të Prokurorit të Shtetit.
IKD vlerësonse kjo qasje selektive në zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike dëshmon qëllimin e Prokurorit të Shtetit që të fsheh keqpërdorimet e prokurorëve në rastet e vendosjes në mënyrë të kundërligjshme dhe se në asnjë mënyrë nuk ka qëllim të mbroj të dhënat personale, të cilat edhe ashtu asnjëherë nuk janë kërkuar.
IKD rikujton se si rezultat i aktvendimeve të kundërligjshme të pushimit të hetimeve nga ana e prokurorëve dhe publikimit të tyre nga IKD në të kaluarën dhe tash është arritur të zbulohen keqpërdorimet e ligjit nga ana e prokurorëve, të cilët kanë amnistuar qindëra mijëra euro në mënyrë të kundërligjshme, duke ndikuar në anulimin e vendimeve të këtyre prokurorëve, duke rinisur hetimet ndaj të amnistuarëve dhe duke dërguar prokurorët në procedura hetimore në Zyrën e Prokurorit Disiplinor.
IKD shpreh shqetësim të thellë për keqpërdorimin e pozitës nga ana e prokurorëve dhe zyrtrëve të sistemit prokurorial, të cilët po shkelin Ligjin për Qasje në Dokumentet Publike për të refuzuar ofrimin e vendimeve përfundimtare të mbylljes së rasteve me qëllim që të mbrojnë shkeljet e ligjit dhe veprimet korruptive të prokurorëve, të cilët në këtë fazë nuk i nënshtrohen kontrollit gjyqësor.
Pushteti ligjor i mungesës së kontrollit gjyqësor në fazën parapenale të hetimeve është duke u keqpërdorur nga një numër i madh i prokurorëve, të cilët janë duke amnistuar krime të shumta dhe sidomos veprimtari korruptive, duke i hudhur kallëzimet penale apo edhe në fazën e avancuar të hetimeve, duke i mbyllur hetimet dhe duke mos lejuar që këto vendime të publikohen në përputhje me Ligjin për Qasje në Dokumentet Publike dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Në këtë fazë, sistemi prokurorial duhet të alarmohet për këtë keqpërdorim të pushtetit ligjor në dëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe luftimit të kriminalitetit e sidomos veprave penale të korrupsionit për të marr masa në drejtim të hapjes së sistemit dhe ofrimit të qasjes në monitorim të këtyre rasteve të përfunduara për të rritur llogaridhënien e prokurorëve dhe për ta luftuar kriminalitetin.
IKD kërkon zbatimin e obligimeve ligjore për qasje në dokumentet publike dhe i bën thirrje KPK-së dhe ZPD-së të ndërmarr veprime konkrete në drejtim të disiplinimit të të gjithë prokurorëve dhe zyrtarëve të sistemit prokurorial që nuk ofrojnë qasje në aktet prokuroriale përfundimtare të aktvendimeve për hudhjen e kallëzimeve penale dhe aktvendimeve për pushimin e hetimeve.