Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka konstatuar se gjatë mandatit të Qeverisë Kurti II, pozitat kyçe në administratën shtetërore janë ushtruar nga ushtrues detyre në numër më të madh se gjatë qeverive të mëparshme, duke krijuar kështu precedent të rrezikshëm për institucionet publike, raporton Ekonomia Online.
Naim Jakaj, hulumtues në IKD, tha për Ekonomia Online se kjo praktikë ka rezultuar me vendime dhe udhëzime të nxjerra nga persona që kanë tejkaluar afatet ligjore, disa prej të cilave janë rrëzuar më pas nga Gjykata Supreme.
“Siç ishte parë gjatë qeverisjes Kurti II, është abuzuar me ushtruesit e detyrës në kuptimin që qeveria nuk ka arritur që për pozitat e rëndësishme në administratën shtetërore të Kosovës, si janë tash sekretarët e ministrive dhe drejtorët e departamenteve të caktuara në nivel të lartë publik, nuk ka arritur t’i kryej konkurset me rregull dhe efikasitet. Kjo pastaj ka sjellë te pasojat, si është njëri ndër aktgjykimet më të rëndësishme të Gjykatës Supreme ku rrëzohet një udhëzim administrativ për faktin që ai ishte nxjerrë nga një sekretar të cilit i ka kaluar mandati, sepse me ligjin e kaluar ka qenë periudha e caktuar 6 muaj që të ushtrohej një detyrë e caktuar me kushtin që të ushtrohej edhe 6 të tjera plus, por një pozitë e tillë është ushtruar me tejkalim të afatit që ka pasur në ligjin për zyrtarët publikë”, tha ai.
Jakaj shtoi se disa ushtrues detyre vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre përtej afateve ligjore, duke nënshkruar udhëzime dhe vendime që mund të rrëzohen në Gjykatën Supreme.
“Një udhëzim administrativ i tillë është rrëzuar nga ana e Gjykatës Supreme, një precedent i tillë është dashur të zbatohet nga ana e qeverisë së Kosovës, një gjë e tillë nuk është bërë, ende ka ushtrues të detyrës të cilët përfitojnë që ligji për zyrtarët publikë, edhe me ndryshimet e reja që janë bërë, thotë se zyrtari publik mund të ushtrojë funksionin e tij si ushtrues detyre një vit me kushtin edhe një vit shtesë. Ka ushtrues detyre që kanë tejkaluar tashmë këtë afat dhe që ushtrojnë detyrën e tyre, nënshkruajnë udhëzime, nënshkruajnë vendime të cilat, në rast se dërgohen në Gjykatën Supreme, mund të rrëzohen përsëri”, tha ai.
Ai vuri në dukje se pozitat e emëruara bazuar në lidhje personale apo politike, dhe jo meritokraci, krijojnë rreziqe për funksionimin e drejtë të institucioneve.
“Nuk është njëjta kur një pozitë me ushtrues detyre, kur një pozitë në administratën shtetërore ushtrohet nga një person që është zgjedhur në bazë të meritokracisë dhe jo në bazë të emrimeve politike edhe ad hoc, të cilat mund t’i bëjë një ministër ose një person kyç në administratën shtetërore. Pra ai mund të jetë një person i cili mund të jetë i besueshëm personalisht për vartësin e tij, por jo të jetë i besueshëm për publikun, e pastaj mund të ndikojë edhe në perceptimin e rritjes së korrupsionit në nivelin publik”, tha ai.
Sipas monitorimeve të IKD-së nga viti 2021, ky mandat ka shënuar më shumë ushtrime të pozitave me ushtrues detyre sesa qeveritë e kaluara, kështu sipas Jakaj duke lënë të nënkuptohet një tentativë për të “kapur” institucionet nga qeveria, përmes emërimeve që janë më të besueshme ndaj individëve sesa ligjit.
“Nga monitorimi që Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka bërë nga viti 2021, po në këtë mandat ka pasur ushtrim të pozitave me ushtrues të detyrës më shumë se qeveritë e kaluara, kjo lë të nënkuptohet se qeveria gjatë këtij mandati ka tentuar t’i kapë institucionet, sepse, këta propozime pritet që të jenë më të besueshëm ndaj personit se sa ndaj ligjit të caktuar në nivel të Kosovës”, tha ai.
