Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të martën ka publikuar raportin me titull “ Analizën mbi Dënimin me Burgim të Përjetshëm”.
Në Analizën e publikuar, ndër të tjera IKD ka sqaruar zbatimin me burgim të përjetshëm në sistemin juridik të Republikës së Kosovës dhe po ashtu është bërë edhe krahasimi me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNJ).
Dënimi me burgim të përjetshëm, si dënimi më i rëndë, në mesin e sanksioneve penale të Kodit Penal të Republikës së Kosovës [tutje: KPRK], ka gjetur vend në këtë të fundit pas abrogimit të dënimit me vdekje me Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2000/59, neni 1, pika 1.5 dhe 1.6 duke zëvendësuar kështu dhe dënimin me burgim afatgjatë, të përcaktuar sipas Kodit Penal të Përkohshëm të Kosovës.
Dënimi me burgim të përjetshëm paraqitet si dënimi më i rëndë në KPRK që i shqiptohet një kryerësi të veprës penale në Republikën e Kosovës dhe i njëjti aplikohet tek krimet më të rënda që parasheh legjislacioni penal.
Dënimi me burgim të përjetshëm parashihet në 36 vepra penale të ndryshme, duke përfshirë, por jo edhe duke kufizuar në vepra penale si: tradhtia ndaj vendit, gjenocidi, krimit kundër njerëzimit dhe vrasja e rëndë. Shqiptimi i këtij sanksioni kërkon që vepra penale të jetë e rëndë dhe e kryer në rrethana rënduese apo që ajo vepër të ketë shkaktuar pasoja shumë të rënda. Përmbushja e këtyre rrethanave nuk kërkohet të jetë kumulative, përderisa përmbushet njëra nga të dyja, duke përjashtuar ekzistimin e kufizimeve sipas nenit 41 të KPRK-së.
Sipas analizës së IKD-së, ky dënimi maksimal, për shkak të përmbushjes së kushtit ‘të qenurit vepër penale e rëndë dhe e kryer në rrethana rënduese’ në Republikën e Kosovës është shqiptuar nga gjykatat plotë nëntë (9) herë brenda viteve 2019-2023. Mirëpo, nga gjetjet e identifikuara të IKD-së, ky dënim asnjëherë nuk ka arritur formën e prerë.
Megjithatë, IKD ka gjetur se edhe përkundër karakterit të përhershëm të këtij dënimi, instituti bashkëkohor i drejtësisë penale për lirimin me kusht, ofron shpresë për lirim nga burgimi i përjetshëm. Në përputhje me nenin 90 të KPRK-së, sigurohet mundësia e lirimit me kusht për personin e dënuar me burgim të përjetshëm, pasi të ketë mbajtur tridhjetë (30) vjet nga ky dënim. Mundësia për realizimin e kësaj të drejte fillohet me paraqitjen e kërkesës për lirim me kusht, përmes institucionit korrektues ku i dënuari vuan dënimin. Po ashtu, edhe nëpërmes drejtorit të këtij institucioni, tek Paneli për Lirim me Kusht, në përputhje me Ligjin mbi Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.
Tutje, IKD ka analizuar edhe mundësinë e rishikimit të dënimit për lirim me kusht në bazë të legjislacionit kosovar nëse i njëjti është në përputhje me standardin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut [tutje: GJEDNJ], përkatësisht nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut [tutje: KEDNJ]. Sipas GJEDNJ, rishikimi është e vetmja mënyrë për të vlerësuar dhe rivlerësuar siç duhet bazën legjitime penologjike që justifikon dënimin e shqiptuar me burgim të përjetshëm, duke i lënë në kompetencë gjykatave kombëtare të përcaktojnë formën dhe kohën e këtij rishikimi.
Megjithatë, sipas praktikës së vendosur nga GJEDNJ dhe obligimit mbi harmonizimin e legjislacionit nuk kanë arritur të veprojnë disa nga shtetet evropiane, duke bërë që forma të ndryshme të modifikuara të dënimit me burgim të përjetshëm të sfidohen nga kjo Gjykatë.
Në anën tjetër, kategoritë e dënimit me burgim të përjetshëm në SHBA ofrojnë vetëm “mundësi teorike” të zbutjes, të cilat nuk sigurojnë një perspektivë realiste për lirim të të burgosurve. Prandaj, në kuptim të nenit 3 të KEDNJ, dënimet e shqiptuara nga gjykatat e Shteteve të Bashkuara nuk do të mund të konsideroheshin të reduktueshme.
Në analizën e publikuar IKD ka gjetur se rastet e sfiduara në GJEDNJ, mund të thuhet se mbijetesa e dënimit me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi nuk është e sigurt. Nëse marrim për bazë elementet përbërëse të nenit 3 të KEDNJ “…askush nuk duhet ti nënshtrohet torturës ose trajtimit ose dënimit çnjerëzor ose poshtërues“, vështirë do të shmangnim cenimet e të drejtave themelore të njeriut. Kështu, në frymën e interpretimeve të vendimeve gjyqësore është e pa argumentueshme ofrimi i rishikimit mbi vlerësimin e lirimit me kusht nga shtetet. Kjo nuk do të thotë se mundësia për rishikim të dënimit do të çojë gjithmonë në uljen e dënimit, pasi që i njëjti mund të na dërgoj në konstatimin se nuk ka bazë për uljen e dënimit.
Ndërsa, sa i përket Republikës së Kosovës, legjislacioni penal ka ofruar mekanizma për lirim të të dënuarve me burgim të përjetshëm, duke themeluar Panelin për Lirim me Kusht. Në linjë me jurisprudencën e GJEDNJ-së është lejuar mundësia që i dënuari me burgim të përjetshëm të mund të lirohet me kusht në mënyrë që të mos cenohet neni 3 i KEDNJ-së.
Andaj, sigurimi i një mekanizmi për rishikim siç e ka edhe sistemi juridik i Republikës së Kosovës është në përputhje me të drejtat themelore të njeriut dhe ofrimin e mundësisë për risocializim, si qëllimi kryesor i të drejtës penale.