Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) njoftoi se i është refuzuar monitorimi i konkursit për zgjedhjen e përfaqësuesit të sindikatave në Fondin Pensional.
IKD-ja ka thënë të martën se kërkesa ishte bërë me qëllim të monitorimit për të rritur nivelin e integritetit të procesit të përzgjedhjes së anëtarëve në Bordin e FKP-së.
Kjo organizatë tha se s’ka marrë përgjigje në dy kërkesat e bëra.
Në ndërkohë, sipas informacioneve tona, procesi i intervistimit për këto dy pozita do të fillojë sot.
“IKD shpreh shqetësimin e thellë për qasjen mospërfillëse të institucioneve të lartpërmendura ndaj mungesës së transparencës dhe llogaridhënies, duke injoruar në heshtje kërkesën e shoqërisë civile. Andaj, vlerësojmë se qasja e tillë është tregues i qartë i refuzimit në heshtje për ta monitoruar këtë proces. Kjo mospërgjigje dëshmon qëllimin për të shmangur situatat ku duhet të promovohen parimet dhe praktikat e bazuar në meritë në këtë proces të rëndësishëm të rekrutimit. Kufizimi i qasjes për IKD-në, tregon mungesën e transparencës dhe llogaridhënies nga institucionet, e që në mungesë të mbikëqyrjes së nevojshme mund të dërgojë edhe në rritjen e rrezikut të abuzimit dhe mungesës së një procesi të bazuar në integritet dhe meritokraci. IKD vlerëson se bashkëpunimi i hapur dhe konstruktiv mes institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile, është vlerë që do ta përforconte demokracinë, transparencën dhe do të ndihmonte në ndërtimin e një administrate të qëndrueshme dhe efektive për të mirën e të gjithë qytetarëve. Në anën tjetër, për të përmirësuar situatën, është e nevojshme që institucionet shtetërore të zbatojnë standarde më të larta të transparencës dhe të lejojnë monitorimin e pavarur nga organizatat e shoqërisë civile, e që në situatën aktuale po ndodh e kundërta”, thuhet në komunikatë.
Instituti ka thënë tutje se konkursi për pozitën e përfaqësuesit të sindikatave u bë vetëm pas reagimit të IKD-së.